E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pa treg, nuk ka bujqësi e blegtori

 

Partia Socialiste zhvillon Konferencën Rajonale për Bujqësinë

SHKODËR- Pikërisht në qarkun ku ekziston një traditë e madhe në fushën e zhvillimit bujqësor e blegtoral, Shkodër, Partia Socialiste ka hapur edhe ciklin e Konferencave Rajonale për Bujqësinë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar gjatë zhvillimit të konferencës, se “në 300 e disa komunat e vendit, janë ftuar dhe kanë folur rreth 10 mijë vetë, që kanë qenë bujq e fermerë, ndër të cilët edhe ekspertë të bujqësisë që kanë ngritur zërin për problemet e zhvillimit në fshatrat e tyre, për gjendjen e përgjithshme, për potencialet dhe për idetë e mundshme, në rrugën e zgjidhjes së problemit”. Kryesocialisti është shprehur se ambicia e tij është që qysh të nesërmen e fitores së PS-së, ministrat dhe dikasteret të kenë përpara planin e punës për 4 vitet, që, sipas tij, do të shënojnë shpresën e madhe sa i përket sektorëve jetikë dhe posaçërisht bujqësisë, blegtorisë dhe zhvillimit rural.“Pa dyshim, që bujqësi, blegtori, zhvillim rural pa treg nuk ka, dhe për këtë arsye, sot ne kemi qytetarin që jeton në fshat dhe që detyrohet që atë pak prodhim që i mbetet për ta shitur, të marrë rrugën për ta shitur në buzë të rrugës, duke i tundur në dorë makinave që kalojnë, sepse s’ka asnjë sistem grumbullimi dhe këtu kam parasysh qoftë tregjet e shitjes së prodhimit, qoftë bazën frigoriferike që mungon krejtësisht në Shqipëri. Kemi parasysh mekanikën bujqësore si një element i patjetërsueshëm i zhvillimit, që sot mungon për shkak se mungojnë qoftë direktivat, qoftë subvencionet për këtë mekanikë dhe padyshim pastaj vijmë te teknologjia, si kualifikim dhe si arsim, që është tërësisht e munguar dhe këtë mund ta dëshmojnë ekspertët e njohur e të braktisur, që janë lënë rrugëve për t’ju lënë vendin injorantëve që i subvencionon pushteti me taksat e qytetarëve”,- tha Rama. Kryetari i PS-së është fokusuar edhe tek premtimi i pambajtur i qeverisë lidhur me ndërtimin e mijëra rrugëve rurale. “Janë premtuar mijëra kilometra rrugë rurale dhe sot janë rrugët rurale që mungojnë e që janë problemi kryesor i fshatit. Ashtu sikundër në 17 vjet, janë investuar 120 milionë dollarë për infrastrukturën e ujitjes, dhe në rast se i dëgjojmë bujqit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka gjurmë të kësaj infrastrukture, sepse ky investim është një nga gropat thithëse më të zeza të menaxhimit të fondeve të publikut shqiptar. Kjo është një pasuri që nuk është larg nga ajo në të cilën regjimi i shkuar ngriti në sistemin e ujitjes, që është e vetmja gjë që ka mbetur sot, për të garantuar mbijetesën e qytetarëve shqiptarë dhe mijërat e rrugëve rurale të premtuara nga Sali Berisha, i ka marrë me vete lumi i mijëra gënjeshtrave të tjera, që ka prodhuar vazhdimësi fabrika e rrenave e Partisë Demokratike, ku drejtori është një njeri që gënjen sa herë merr frymë”,- tha ai. Rama shtoi se problemet e bujqësisë janë thelluar së tepërmi dy vitet e fundit. “Ne kemi detyrën t’i rikthejmë dinjitetin fshatit, bujqve dhe fermerëve, këtyre njerëzve të mëdhenj të punës, që sot janë viktimat më shembullore të keqqeverisjes prej 17 vjetësh, të abuzimit dhe të raportit poshtërues që politika e vjetër ka vendosur në fshat. Jam i bindur se, së bashku do ta bëjmë të mundur kthesën e madhe”, - tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›