Shqipëria, energji nga "Zululandi"
****
Statistikat tregtare tregojnë se Shqipëria është nën darën e kompanive spekulante që tregtojnë energji në rajon
Energji nga Zvazilandi, Malajzia e Hong Kongu
Statistikisht, Shqipëria ka importuar drita gjatë viteve të fundit nga vende që vështirë se mund të gjenden në hartë. Gjatë vitit të fundit, Zvicra zinte vendin kryesor të importeve në Shqipëri me më shumë se 160 milionë euro. Në fakt, janë dy kompani të regjistruara në Zvicër dhe që ndërmjetësojnë shitblerje energjie në rajonin tonë. Energjia që ne konsumojmë, besohet se prodhohet në Europën Qendrore, përgjithësisht në Republikën Çeke dhe në Austri.
Por ekspertët paralajmërojnë se të dhënat mbi vendin e origjinës janë të rreme. Në total, nuk është e qartë se ku është prodhuar energjia që ne kemi blerë gjatë dekadës së fundit. Statistikat tregtare tregojnë si vende origjine shtete si Britania e Madhe, Malajzia e largët apo edhe Zvazilandi, Izraeli apo Hong Kongu. Nga këto vende është praktikisht e pamundur të importohet energji elektrike, sepse ky është një lloj malli që nuk mund të ngarkohet në anije, por ka nevojë për tela që të transportohet. Zvazilandi, nga i cili Shqipëria rezulton se ka importuar rreth 3.2 milionë euro energji elektrike në vitin 2003, është një shtet i vogël në kufi me Afrikën e Jugut, i njohur në Shqipëri nga tregimet e Faik Konicës mbi Zululandin.
Ekspertët shqiptarë tregojnë në fakt se statistikat tregtare tregojnë si vend origjine shtetin ku është regjistruar kompania që ka nënshkruar kontratën me KESH. Në fakt, kompani të tilla shërbejnë për të shitur në mënyrë private energjisë e prodhuar nga kompani nën pronësi publike në Ballkan apo në Europën Qendrore. Këto janë kompani që nuk e shohin kurrë mallin që shesin e blejnë, por për shkak të paaftësisë të administratorëve publikë në Shqipëri për të kontaktuar drejtpërsëdrejti me prodhuesit në Europën Qendrore, rrisin çmimet në mënyrë spekulative. Gjatë vitit të kaluar, duket se harta e vendeve nga ne “importojmë” energji u zgjerua shumë. Në listë u shtua edhe Hong Kongu i largët nga ku u importuan 724 mijë euro energji.
Për të humbur gjurmët
Përdorimi i kompanive që regjistrohen me seli në vende të largëta, shërben kryesisht si një metodë për depistimin e parave dhe për krijimin e hallkave tregtare që justifikojnë transferimin e vlerave të konsiderueshme financiare nga kompanitë prodhuese, që në rastin e Ballkanit janë nën pronësi publike, në kompani nën pronësi private. Këto kompani shërbejnë edhe si mënyra për të nxjerrë para nga korporatat e mëdha, me qëllim që të mbulohet financiarisht kostoja e korruptimit të zyrtarëve në vende të ndryshme ku energjia prodhohet apo kalon tranzit.
Gj.Erebara
Gjatë dhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka shpenzuar 450 milionë euro në importe. Mund të ndërtonte katër termocentrale
Importet e dritave na lënë pa termocentrale
Dështimi në menaxhimin e ekonomisë kombëtare ka krijuar hemorragji financiare për vendin
Gjergj Erebara
Gjatë nëntë viteve të fundit, energjia elektrike e importuar i ka kushtuar Shqipërisë rreth 450 milionë euro, shifër kjo mëse e mjaftueshme për të ndërtuar katër termocentrale të tjera si ai që po ndërtohet në Vlorë, me madhësi prej 450 megavatësh, të mjaftueshme për të garantuar furnizim të rregullt të vendit si dhe për të eksportuar energji në rajon.
Sipas të dhënave të Tregtisë së Jashtme të publikuara nga databaze-in e Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT, nga viti 1999, kur Shqipëria u bë për herë të parë importues neto i energjisë elektrike, deri në dhjetor 2007, vendi ynë ka shpenzuar 446 milionë euro, ose 520 milionë dollarë, ndërsa këtë vit pritet të shpenzohen për importe edhe 200 milionë euro të tjera. Shifra e parave të shpenzuara për import energjie, është afërsisht e barabartë me programin e investimeve në këtë sektor, miratuar në vitin 2002. Sipas programit të investimeve, nga viti 2003 deri në vitin 2008, Shqipëria duhej të kishte ndërtuar termocentrale me madhësi 400 deri 600 MW në Vlorë, të mjaftueshme për të prodhuar rreth 3 miliardë kilovat energji elektrike në vit, mëse e mjaftueshme për të furnizuar vendin me drita 24 orë dhe për të shpëtuar nga kriza.
Kriza
Kur ra komunizmi, Shqipëria zotëronte një kapacitet prodhues të energjisë elektrike të mjaftueshme për të furnizuar popullatën dhe industrinë, ku industria zinte pjesën dërrmuese të prodhimit. Megjithatë, që në vitin 1988, një krizë energjetike e shkaktuar nga thatësira përfshiu të gjithë vendin dhe la pa punë industrinë minerare, i vetmi burim të ardhurash valutore për vendin në atë kohë. Kriza e atëhershme energjetike, konsiderohet nga një studim i Librarisë së Kongresit, si një nga shkaqet që dërgoi regjimin komunist në faliment financiar e që shkaktoi edhe rrëzimin e sistemit në vitin 1991.
Në vitin 1999, konsumi i energjisë kapërceu për herë të parë prodhimin gjatë kohës së Luftës së Kosovës. Atë vit u importuan 4.2 milionë euro energji elektrike, por shifra e importeve u shumëfishua në 30 milionë euro, një vit më pas, për shkak të një krize thatësire dhe keqmenaxhimi burimesh. Kriza e vitit 2000 duket se nuk ka mbaruar ende dhe nuk ka shpresa se do të mund të konsiderohet një histori e mbyllur edhe për shumë vite të tjera.
Vetëm në mes të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të mund të vërë në punë një termocentral të vogël me fuqi 93 mega, që kushton rreth 100 milionë euro. Ky termocentral do të plotësojë një pjesë të vogël të deficitit aktual të vendit, ndërkohë që pjesa tjetër e energjisë do të vijojë të importohet edhe për shumë vite, duke rritur deficitin tregtar të vendit dhe duke rrezikuar të gjithë stabilitetin financiar.
Sipas përfaqësuesit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, stabiliteti financiar i vendit mund të përballojë jo më shumë se 110 milionë euro humbje financiare të KESH, të realizuara nga importet e shpejta të energjisë. Por pa ndërtuar termocentrale të rinj, është e qartë se këto humbje do të jenë shumë më të mëdha. Termocentralet kanë një kosto të prodhimit të energjisë elektrike rreth 40% më të ulët sesa kostoja aktuale e importit.
Energjia elektrike është një shembull i dështimit të Shqipërisë si shoqëri e organizuar, ku paratë nuk mungojnë, por ku interesa të vogla djegin të ardhmen e vendit për pak para korrupsioni.
Berisha deklaron se monopolet e energjisë në rajon bëjnë që çmimet e importit në vend të jenë të larta
“Importet e energjisë, me çmim monopol”
Julian Llupo
Energjia e blerë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) është me çmime të larta që nuk përcaktohen nga tregu. Kryeministri Berisha ka pranuar gjatë ditës së djeshme se në rajon, tregu i energjisë është i monopolizuar dhe si pasojë, çmimi me të cilin blihet energjia nga KESH mbetet tejet i lartë. “Çmimet e energjisë në Shqipëri janë të larta. Nuk mund t’u them se gjithë rajoni ynë është në një treg të liberalizuar, sepse ka kufizime në sistemin e transmetimit dhe ka monopole në këtë drejtim, jashtë Shqipërisë. Mendoj se kjo gjë duhet zgjidhur në mënyrë shumë konstruktive me një dialog. Duhet të ndiqen edhe mundësi të tjera përsa i përket linjës së transmetimit të energjisë, sepse në këtë pikë, tregu has në vështirësi. Ne jemi të kufizuar për shkak të kapacitetit të transmetimit të rrjetit grek, gjatë verës. Ka një potencial të kufizuar për import, pasi kjo mund të shkaktojë kolaps, sepse rrjeti mbingarkohet dhe nuk e përballon kërkesën. Ne po punojmë në një linjë të re me Malin e Zi, që është në ndërtim e sipër”, - tha Berisha. Por gjatë viteve të fundit KESH ka blerë energji me çmime rekord, duke u ndikuar edhe nga situata e vështirë energjitike në vend. Qeveritë e radhës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, nuk kanë mundur që të ndërtojnë asnjë njësi që të jetë aktive në furnizimin e vendit me energji. Burimet e energjisë mbeten ato të ndërtuara 40 vite më parë, duke qenë tërësisht të pamundura që të plotësojnë kërkesën në rritje të konsumatorëve. Kanë qenë pikërisht këto çmime të importit të energjisë që kanë futur KESH në krizë financiare, duke rrezikuar nga ana tjetër edhe stabilitetin ekonomik të vendit. Pasi ka arritur limitet e borxheve, KESH ka kërkuar rritje çmimi të energjisë për të gjithë konsumatorët, që tashmë është efektive që prej datës 1 prill 2008.
***
Duke mos mundur që të bëjë asgjë gjatë këtij mandati për zgjidhjen e krizës energjitike, kryeministri Berisha ka hedhur idenë e një Centrali Bërthamor. Megjithëse duket një ide e pamundur për shkak të kostos tepër të madhe financiare, që llogaritet sa buxheti i shtetit të dy viteve fiskale, ose sa gjysma e PBB-së, edhe gjatë forumit të Vjenës, Berisha ka mbrojtur tezën e energjisë bërthamore. “Shqipëria ka si synim të bëhet një superfuqi e vogël energjie në rajon. Ky është qëllimi, ajo përfiton energji, përfiton edhe eksportim të energjisë. Ky është edhe pozicioni ynë. Kjo kërkon njëfarë kohe, por do të bëhet një realitet, me siguri”, - tha Berisha. Por të gjithë ata që mund të lexojnë disa rreshta dhe të bëjnë një analizë të thjeshtë e kuptojnë që shqiptarët nuk kanë nevojë për një central bërthamor, në një kohë që as që mund të mendojnë për të paguar kostot e këtij investimi. Duke kujtuar ngjarjen e Gërdecit, bëhet edhe më e qartë për çdo investitor se një central bërthamor në Shqipëri, edhe sikur të ishte i mundur financiarisht, do të përkthehej njësoj si një bombë me sahat për të gjithë Rajonin dhe Europën.