Zgjedhjet, PD zbarkon në bazë
PD “vjedh” strategjinë e PS-së. Takimet do konceptohen në formën e debatit dhe të bashkëbisedimit
TIRANË- Partia Demokratike starton takimet me bazën. 12 grupet e punës të miratuara nga kryesia e PD-së kanë nisur punën në bazë, me qëllim rifreskimin e partisë, si dhe përgatitjen e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009. Për anëtarët e kryesisë dhe deputetë që janë përfshire në grupet e punës, nuk janë parashikuar fundjava pushim. Krahas axhendës parlamentare të javës, deputetët duhet të zhvillojnë edhe takime intensive në zonat ku ata janë zgjedhur, me qëllimin kryesor, fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Prej dy ditësh, anëtarë të kryesisë dhe deputetë janë shpërndarë nëpër rrethe, për të ngritur në të njëjtën kohë edhe grupet e punës për zgjedhjen e kryetarëve të degëve dhe nëndegëve. Sipas vendimit të kryesisë së partisë, ky proces do të intensifikohet në shtator dhe është parashikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2008. Skema që demokratët do të përdorin në këtë riorganizim, duhet të jetë në përputhje me sistemin e ri zgjedhor.
Fillimi i fushatës
Kështu, nga dje ka filluar hapja e fushatës në Tropojë dhe Has, e cila është shoqëruar përmes takimesh të zgjeruara, ku përveç përfaqësuesve të grupit të punës së PD-së, si Aleksandër Biberaj apo Fatos Hoxha, në takime kanë marrë pjesë edhe drejtues të degëve dhe të strukturave respektive të PD-së për Tropojën dhe Hasin, si dhe drejtues të pushtetit lokal dhe të drejtorive rajonale. Demokratët kësaj here kanë preferuar që të “vjedhin” pak nga strategjia, që po ndjek Partia Socialiste. Kësaj here, takimet janë konceptuar në formën e debatit dhe të bashkëbisedimit, kur krahas elementëve të tillë si; hapja e mëtejshme e PD-së, me qëllim rifreskimin e strukturave; përgatitja e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009, do të diskutohet edhe puna e qeverisë aktuale.
Grupet e punës
Në bazë të vendimit të marrë nga PD, 12 grupet e punës në rang vendi, përkojnë me 12 qarqe, ndërsa në Tiranë janë ngritur grupe pune sipas nëndegëve. Për Tiranën-qytet në grupet e punës sipas zonave elektorale, janë përfshirë: Edi, Paloka, Majlinda Bregu, Besnik Mustafaj, Ylli Pango, Bujar Nishani, Sokol Olldashi. Ky i fundit do të kryesojë edhe grupin e punës meqenëse vazhdon të jetë kryetar i PD-së, Tiranë. Në qarkun e Durrësit, në krye të grupit të punës janë përfshirë Gazmend Oketa, Ferdinand Xhaferri, Ndriçim Babasi. Në qarkun e Korçës, janë Ridvan Bode dhe Ilir Rusmali, ndërsa në Kukës, Aleksandër Biberaj, Jemin Gjana e Fatos Hoxha. Për qarkun e Elbasanit, në krye të grupit të punës është ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Qarkun e Shkodrës e kryeson nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, si dhe deputetët e kësaj partie që kanë fituar në 2005-ën. Grupet e punë për qarkun e Lezhës do të drejtohen nga deputetët Preç Zogaj dhe Aldo Bumçi, ndërsa në Vlorë dhe Fier janë përkatësisht Bujar Leskaj, Ardian Kollozi, Fatos Beja. Për qarkun e Beratit i deleguar është zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, që do të ketë në mbështetje disa anëtarë të Këshillit Kombëtar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qarkun e Gjirokastrës, ku grupi i punës do të drejtohet nga Genc Ruli, i mbështetur edhe nga disa anëtarë të Këshillit Kombëtar.
N.Perndoj