E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria:“S’ka krizë ilaçesh në spitale,janë spekulime te drejtorit të QSU”

Ministria e Shëndetësisë mohon akuzat dhe krizën e ilaçeve.Zyrtarisht ky dikaster sqaron se nga informacionet që ka në asnjë spital të vendit nuk ka krizë ilaçesh. 

“Ministria e Shëndetësisë shprehet e habitur me akuzat dhe spekulimet mediatike të bëra nga zyrat e shtetit nga drejtori i pezulluar i QSUT “Nënë Tereza”, Mati Pepa. Ky zyrtar i papërgjegjshëm, i cili është propozuar për shkarkim rreth një muaj më parë nga ministri i Shëndetësisë, jashtë etikës zyrtare dhe profesionale tenton të krijojë tymnajë dhe situatë konfliktuale midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe qytetarëve shqiptarë në nevojë për kujdes e trajtim shëndetësor”, thuhet në reagim. Në të theksohet se, bazuar në kërkesat e ardhura nga të gjithë spitalet në vend dhe fondin në dispozicion dhënë nga buxheti i shtetit, janë kryer me kohë të gjitha detyrimet administrative e ligjore për blerjen dhe furnizimin me barna të spitaleve. “Mbi bazën e vendimit të KM, procedurat e tenderimit nuk kryhen më në njësinë e prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, por nga kjo njësi dërgohen në Agjencinë e Prokurimit Publik, për tenderim elektronik. Drejtoria e Prokurimeve i ka kryer të gjitha procedurat javë më parë dhe është në pritje të ecurisë së procesit nga APP”, thuhet në reagim Sipas këtij dikasteri, në muajt prill–maj–qershor janë  marrë kontakte me të gjitha spitalet në sistemin shëndetësor dhe nga verifikimet rezulton se, secili prej tyre ka furnizim të mjaftueshëm me medikamentet e blera fundvitin e kaluar, sipas planifikimeve të vetë spitaleve dhe mundësive që krijon buxheti i shtetit në dispozicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›