E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hajdari” në Strasburg, Berisha kundër Trajës

Megjithëse maxhoranca ka kundërshtuar dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë, me pretendimin se kreu i shtetit nuk u konsultua paraprakisht me të, duket se emrat e propozuar janë problemi kryesor për shumicën në pushtet. 

Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur për gazetën, se një prej pesë dekreteve të Presidentit, pikërisht ish-gjyqtari i Gjykatës Evropiane të Strasburgut, Kristaq Traja, është emri më i padëshiruar për Kryeministrin Berisha. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu, se Traja është kandidati më potencial i Presidentit Topi për t’u emëruar më pas edhe si kryetar i Gjykatës së Lartë. Por funksioni i Trajës në Gjykatën Evropiane dhe roli i tij në çështjen e Azem Hajdarit, duket se kanë ndikuar që Kryeministri Berisha të kundërshtojë këtë kandidaturë. Sipas procedurës së funksionimit të Gjykatës Evropiane të Strasburgut, kur një çështje e një prej shteteve të Evropës, shkon në këtë gjykatë, njëri prej gjyqtarëve të trupit gjykues i përket atij vendi. Ky duket se është edhe “mëkati” i Kristaq Trajës. Pas një kalvari të gjatë seancash, në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, çështja e vrasjes së njërit prej themeluesve të PD-së, Azem Hajdari, u çua në Gjykatën e Strasburgut nga avokati i Jaho Mulosmanit, i dënuar nga gjykata për këtë vrasje. Kjo gjykatë u shpreh kundër faktit që kryeministri i vendit dhe njëri prej dëshmitarëve në vrasjen e Azem Hajdarit, Sali Berisha, nuk u paraqit asnjëherë në gjykatat shqiptare për të dëshmuar. Në të njëjtën kohë, trupi gjykues, në përbërje të të cilit ishte edhe Kristaq Traja, gjobiti shtetin shqiptar për shkeljen e procedurave në gjykimin e çështjes “Hajdari” në të gjitha shkallët e saj. Edhe pse Traja ka mbajtur funksionin e zv.ministrit të Drejtësisë, gjatë periudhës së parë të qeverisjes së Partisë Demokratike, roli i tij në trajtimin e çështjes “Hajdari” në Gjykatën e Strasburgut e ka bërë atë një kandidaturë të papranueshme për Kryeministrin Berisha dhe shumicën e djathtë në Kuvend. Në dy mbledhjet e fundit të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha është shprehur kundër mënyrës se si veproi kreu i shtetit për dekretimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryeministri është shprehur se nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që presidenti të mos konsultohet paraprakisht me partitë politike për emrat që ka çuar për votim në Parlament. “Në vendimin për dekretet e Presidentit, maxhoranca duhet të udhëhiqet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kërkon konsultimin e Presidentit me Kuvendin. Nuk ka ndodhur asnjëherë dhe kjo është hera e parë që Presidenti të mos konsultohet më parë me maxhorancën dhe opozitën lidhur me dekretet”, është shprehur kreu i qeverisë. Sipas tij, “edhe gjatë kohës që ka qenë zoti Moisiu janë bërë negociata me kryetarët e grupeve parlamentare dhe në raste të
veçanta edhe me kryetarët e partive”.

Pesë dekretet

Kristaq Traja - ka qenë anëtar i të gjitha komisioneve për hartimin e Kushtetutës në periudhën 1991-1997. Në vitet 1999 - janar 2008, kur ka qenë gjyqtar në Gjykatën Evropiane në Strasburg.
Artan Zeneli - në CV e tij thuhet se e ka nisur karrierën në drejtësi në korrik 1991, ku ka qenë përmbarues në gjykatën e rrethit gjyqësor Krujë, dhe ka punuar deri në dhjetor të atij viti.
Zamir Poda - në vitin 1976, ka qenë prokuror pranë Prokurorisë së rrethit Tiranë. Që nga gushti i 1998 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë.
Medi Bici - Në prill 1994 - shkurt 2004, ka qenë gjyqtar në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë dhe nga shkurti 2004 e në vazhdim është gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda po në kryeqytet.
Altina Xhoxhaj - që nga marsi i vitit 2006 e në vazhdim është anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në periudhën gusht - shtator 1994 ka punuar si juriste në Drejtorinë e Organizimit dhe Kontrollit në Ministrinë e Drejtësisë.

Petro Koçi
“PD synon kontrollin e gjykatës”

Situata e krijuar është pasojë e epshit të maxhorancës për të uzurpuar institucionet dhe ky është rasti konkret për Gjykatën e Lartë. PD-ja dhe qeveria synon kontrollin absolut në Gjykatën e Lartë. Por situata e krijuar nuk është vetëm pasojë e këtij epshi politik për kontroll, por edhe pasojë e tradhtisë e opozitës më 21 prill, kur shiti Kushtetutën për një vend pune në Parlamentin e ardhshëm, sepse arroganca e maxhorancës për pushtimin e institucioneve është rritur pas kësaj date. Nuk ka asnjë pengesë në rregulloren e Kuvendit, që dekretet të kalojnë për votim. Pëlqimi apo mospëlqimi jepet vetëm nëpërmjet votës, pra pro ose jo emrave të paraqitur.

Pëllumb Xhufi
“Mos u ktheni në vitin 1993”

“Zonja Kryetare, do t’ju lutesha shumë për të mirën e këtij vendi, që mos të vazhdoni një rrugë që e nisët dhe në vitin 1993, duke u konfliktuar pikërisht me organet kushtetuese dhe posaçërisht me ligjin. Unë thashë që ne detyrohemi të lëshojmë sallën me shpresën që ditën e hënë dhe jo siç thoni ju pas dy javësh dhe pas tri javësh, por ditën e hënë të vijnë dekretet e Presidentit dhe të kalojnë ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe jo ashtu siç doni ju, që doni ta ktheni në debate dhe denigrim të personit të Presidentit të Republikës. Pasi realisht jeni në një rrugë të gabuar dhe më duket se mesazhin e keni marrë nga të gjitha krahët dhe jo vetëm nga opozita shqiptare”.

Valentina Leskaj
“Në seancë kur të jenë dekretet”

Grupi i PS-së bëri të ditur se nuk do të jetë i pranishëm në seancën e Parlamentit vetëm atëherë kur në rendin e ditës do të jetë votimi i dekreteve të Presidentit për pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Është më mirë të sillni një impechment për Presidentin, meqë e keni akuzuar. Nuk mund të mbetet as peng i sajesave të rrugëve jashtë shtetit që mund të bëhen për të llogaritur numrat pro dhe kundër, ne do të largohemi nga seanca. Duam datën e saktë se kur dekretet e Presidentit do të vijnë në seancë. Grupi i PS-së nuk mund të mbetet peng i numrave tuaj, si maxhorancë nuk keni për të votuar dekretet”, deklaroi Leskaj në Kuvend. Socialistët e kanë cilësuar primare votimin në seancë të dekreteve të Presidentit.

Astrit Patozi

“Ultimatumete PS-së, pa asnjë vlerë”
“Kemi kohë për votimin e dekreteve deri në 20 ditë pas daljes së raportit të Komisionit të Ligjeve. Në këto kushte, ikja e kolegëve socialistë nga seanca është një tjetër formë e shëmtuar e politikës së tyre të mbrapshtë. Ky Parlament ndodhet në një situatë absurde, për shkak të një qëndrimi të shëmtuar të PS-së dhe deputetëve të saj. Ju nuk mund të përdorni politikën e ultimatumeve, sepse është një politikë sa joproduktive, aq edhe e shëmtuar, është një politikë që nuk shkon në një vend demokratik, është një politikë që nuk duhet ta përdorë as maxhoranca mbi opozitën, e jo më opozita mbi maxhorancën”, u shpreh Patozi.     

“Konflikt i Topallit me Topin, jo i Kuvendit”

Deputeti i djathtë, Spartak Ngjela, u shpreh se konflikti për dekretet nuk është mes Presidentit dhe Kuvendit, por ai konsiston ndërmjet Presidencës dhe kryeparlamentares Topalli. “Më duhet të konstatoj këtu se ky Parlament nuk ka asnjë vlerë parlamentarizmi, pasi konfliktoheni me Presidentin personalisht dhe jo institucionalisht. Dekretet e Presidentit janë kompetencë substanciale, nuk janë formale, ky është parlamentarizmi. Parlamenti nuk llap, por voton. Nëse nuk keni shumicën, atëherë deklaroni, jo ca deputetë do i dërgoni në Kamerun dhe ca në Zvicër”, deklaroi Ngjela. Sipas tij, në këto diskutime nuk kanë vlerë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Poda në Gjykatën e Lartë? Berisha president!”

Deputeti i PAD-së, Neritan Ceka, hodhi idenë që Gjykata Kushtetuese duhet të rishikojë një prej kandidaturave të paraqitura nga ana e Presidentit. Në seancën e Kuvendit, Ceka u shpreh se Zamir Poda, i paraqitur si kandidaturë, më parë ka qenë anëtarë i Gjykatës Kushtetuese për një periudhë tetëvjeçare. “Nuk mundet që Poda të jetë përsëri anëtar, pasi ka qenë anëtar më parë. Kushtetueseja duhet të shikojë nëse lejohet një gjë e tillë. Janë hedhur ide se ai ka qenë anëtar përpara se të miratohej Kushtetuta. Për mua një gjë e tillë nuk qëndron. Nëse i bie kështu, atëherë i bie që Berisha të bëhet për të tretën herë president, gjë që ia ka ndaluar pikërisht kjo Kushtetutë”, deklaroi Ceka. Kreu i PAD-së hodhi idenë e rishikimit të Rregullores për procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›