E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dekretet e reja, me rregulloren e re”

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, u shpreh të mërkurën, në një prononcim për mediat, se ndryshimi i rregullores së Kuvendit synon funksionimin sa më të mirë të Parlamentit në marrëdhënie me institucionet e tjera. Duke iu referuar seancës së kaluar plenare, kur mazhoranca kërkoi që ta përfshinte në kalendarin e punimeve të Kuvendit këtë çështje, Beja tha se një gjë e tillë u kundërshtua nga grupi socialist në atë shkallë sa ikën nga salla. Ai informoi më tej se brenda kësaj jave do të mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të marrë në shqyrtim amendamentin e propozuar nga ai vetë, për nenin 111 të rregullores së Kuvendit, që lidhet me procedurat e trajtimit të kandidaturave që vijnë në Parlament. “Nga momenti që do të hyjë në fuqi rregullorja, çdo kandidaturë që do të vijë do të kalojë në atë procedurë që do të fiksojë Parlamenti. Deri tani është synuar të fiksohen procedurat dhe kriteret, të cilat të çojnë në përzgjedhjen optimale sa më të mirë të mundshme të kandidaturave”, - tha Beja, duke pohuar në këtë mënyrë se kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë do të kalojnë në bazë të rregullave të reja të Kuvendit të propozuara prej tij. Ai ftoi opozitën që të jetë bashkëpunuese në këtë drejtim, duke nënvizuar se kjo nuk është çështje e një partie apo e një mazhorance, por është një çështje për funksionimin e Parlamentit si institucion në bashkëveprim me institucionet e tjera.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›