E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i iluzioneve optike, pjesë e koleksionit të GKA

Autori i Lajmit: Fabiola Kurteshi
Koleksionisti hungarez Tibor Csepei i ka dhuruar sot Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë një grafikë origjinale, të krijuar nga babai i iluzioneve optike, Viktor Vasareli. Vepra e quajtur “Vega 2”, me përmasa 61x 61 cm iu dorëzua sot drejtorit të GKA-së, Rubens Shima, në një ceremoni të zhvilluar në ambasadën hungareze në Tiranë, ku ishte i pranishëm dhe z. Sandor Molnari. Shumë shpejt ajo do të ekspozohet në sallonin e koleksioneve të veprave të artit në Galerinë Kombëtare. Suzana Varvarica (Kuka), shefe e studimeve dhe kërkimeve artistike, bëri të ditur gjatë kësaj ceremonie se "në ambientet e GKA-së, gjatë muajit nëntor 2008 do të shfaqet një film me metrazh të shkurtër, dhuruar nga Csepei, mbi të cilin paraqitet jeta e artistit unik. “Vega 2” ishte pjesë e 126 pikturave të koleksionit “Csepei” që u paraqitën disa ditë më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Tibor Csepei është koleksionisti më i madh i veprave të Vasarelit dhe i vetmi në të gjithë botën, me rreth 800 punime. Ai ka arritur të realizojë rreth 1400 ekspozita me veprat e këtij koleksioni. Csepei është gjithashtu një pedagog i muzikës në Budapest dhe autori i shumë librave jo vetëm të vendeve evropiane, por dhe të kulturës arabe. Në një intervistë, Csepei tha se “të gjitha këto punime janë një koleksion personal, për të cilin kam punuar shumë". Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, tha ai, Vasareli nuk ishte shumë i njohur dhe vlera e pikturave të tij ishte shumë e vogël. "Vasareli kishte një zakon që disa piktura të ekspozuara ua dhuronte artistëve të ndryshëm. Unë arrita për disa vite t i bleja të gjitha këto piktura, që kanë qenë rreth 60 të tilla. Tani çmimi i tyre është rritur shumë dhe nuk arrija t i blej dot”. Vasareli, i njohur si "babai i iluzioneve optike" dhe artisti që solli një revolucion në artin grafik, u prezantua në Tiranë nga një bashkëpunim i Institutit Kulturor Hungarez “Sofia”, Aleancës Franceze, nën kujdesin e veçantë të ambasadores së Francës në Tiranë, Maryse Daviet dhe ambasadorit të Hungarisë në Tiranë, z. Sandor Molnari. Në këtë ekspozitë u paraqitën disa nga veprat artistike të grafistit me famë, punimet e të cilit janë të njohura në të gjithë botën, përmes ekspozitave të tij në muze dhe galeri në zë. Viktor Vasareli, ka realizuar portrete, peizazhe dhe kompozime, ndërkohë që gjithmonë eksperimentonte në figura ekspresioniste, kubike, simbole të surrealizmit, elemente që përvijuan tek ai një stil unik. Ai gjatë jetës së tij u dallua për stilin e tij abstrakt dhe përdorimin e figurave gjeometrike, si dhe skulpturave shumëngjyrëshe duke u përcaktuar si një nga ikonat artistike të Hungarisë dhe Francës ku ai jetoi. Një nga punimet e tij më të famshme është ai i Zebrës (1937), krijim që u quajt edhe si vepra e parë Op-art (iluzion optik). Në muzeun e pallatit “Gordes” si dhe atë të Zichy në Budapest janë ekspozuar rreth 1000 vepra arti të këtij autori. Ndërsa në Aix-en-Provence ndodhet fondacioni Vasareli, strukturë e ndërtuar nga vetë piktori. Punime të ndryshme të këtij artisti janë prezantuar në qendrën “Pompidu”, duke u bërë pjesë e koleksioneve më të mëdha të artit modern në Evropë. Viktor Vasareli vdiq në moshën 90-vjeçare më 1997 në Paris, duke lënë pas artin e tij që vazhdon të ketë dashamirës në të gjithë planetin..

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›