E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Demokratët na vodhën modelin”

Autori i Lajmit: red.
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit kanë rikthyer debatet mes dy partive të mëdha ashtu si pak ditë më parë në seancën plenare. Partia Socialiste akuzon Partinë Demokratike se ka paraqitur si variant të sajin për ndryshimet në rregullore, propozimin e bërë nga socialistët. Deputeti socialist Besnik Dervishi pohoi dje se kërkesa e socialistëve, e cila ishte depozituar që ditën e premte në Kuvend dhe kishte pothuajse të njëjtën përmbajtje, është zhdukur. Ndërkohë që ai sqaron më tej se nisma e socialistëve ka të bëjë kryesisht me emërimet e bëra nga Kuvendi. “Ka disa keqkuptime të krijuara në lidhje me dekretet e Presidentit të Republikës, por propozimi ynë lidhet me emërimet që bën vetë Kuvendi i Shqipërisë, siç janë institucione mjaft të rëndësishme si institucioni i Avokatit të Popullit, për 3 anëtarët që zgjedh Kuvendi për Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku, për fat të keq, është një vend bosh për më shumë se 6 muaj dhe propozimi i bërë nga 28 deputetë nuk dihet se në ç zyrë të Kuvendit ka humbur. Janë gjithë entet rregullatore, të cilat emërohen nga Kuvendi propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe emërohen nga Kuvendi, natyrisht është edhe dhënia e pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës. Por këtë rast emërimi bëhet nga Presidenti i Republikës, ndërsa Kuvendi jep vetëm pëlqimin”, - tha Dervishi. Ndërkohë që ndryshimet e propozuara nga socialistët synojnë dhe zhvillimin e seancave dëgjimore për të informuar deputetët, të cilët, ka patur raste, kur nuk kanë pasur informacionet e duhura për ata emra që do të votonin si dhe futja e menjëhershme në kalendarin e punimeve. Dervishi i konsideron si pozitive këto propozime, sepse në këtë mënyrë do të ishin evituar dhe problemet me dekretet e Topit. “Po të ishte zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, mendoj se do të kishte shumë pak kurajo për të dhënë urdhra politikë absurdë për të mos votuar personalitete të së drejtës siç ishin një pjesë e mirë ose të gjitha kandidaturat e paraqitura nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë”, - tha ai. Madje, sipas Dervishit, në këtë mënyrë do të evitohet dhe emërimi i propozimeve që janë të sponsorizuara nga një ose dy persona të fuqishëm të politikës, siç thotë ai.
S.T
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›