E Diel, 1 Nëntor 2026

Orkestra e RTSH-së, koncert për Ferdinand Dedën

Autori i Lajmit: red.
Pjesë nga veprat e të mirënjohurit Ferdinand Deda (1941-2003), dirigjent dhe kompozitor do të zënë një vend të veçantë në mbrëmjen e nesërme të stinës koncertore të orkestrës, me të cilën ai u angazhua e përkushtua për vite me radhë. Deda ka drejtuar orkestrën e RTSH-së që nga viti 1964 dhe deri në fund të jetës së tij. Ka regjistruar numrin më të madh të veprave muzikore të kompozitorëve kryesisht shqiptarë, të cilat ndodhen në fondin e Radiotelevizionit Shqiptar të të gjitha zhanreve simfonike, përfshirë këtu dhe një numër shumë të madh të muzikës së filmave. Vepra të tëra për orkestër dhe për instrumente solistike mbajnë firmën e tij. Ndër to mund të përmendim: Valle simfonike nr.1 dhe koncert për klarinetë e orkestër. Krijues edhe i një numri shumë të madh këngësh, pjesa më e madhe e të cilave kanë fituar çmime dhe janë mjaft të njohura në fondin tonë muzikor, Deda është ideues i disa aktiviteteve të rëndësishme të Radiotelevizionit Shqiptar, si Koncerti i Pranverës”, Festivali i Interpretuesve të Rinj, Festivalin i Këngës Popullore etj. Për punën e tij është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Pjesa muzikore që do të vijë në koncertin e 26 qershorit, “Valle simfonike nr. 1”, është shkruar dhe ekzekutuar nën drejtimin e tij në maj të vitit 1980. Pjesë e koncertit është edhe “Meditim….për dikë që s është më”, një nga veprat që Deda e kishte shumë për zemër, e kompozuar në formë improvizimi.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›