E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luajnë Ronaldo dhe Drogba, s’ka spektakël



Leonard Karaj

Nuk munguan yjet në fushën e lojës, por gjithsesi nuk pati aspak spektakël. Portugalia barazoi pa gola me Bregun e Fildishtë, ku veç nervozizmit dhe lojës me shumë pasime e ndërprerje, nuk pati asgjë tjetër për të shënuar. Nuk mungoi të prekte topin për disa minuta edhe Didier Drogba, por edhe ky tregoi se ishte shumë larg ditëve të tija më të mira. Por nëse për sulmuesin e "Elefantëve" mund të kishte edhe një lloj justifikimi për shkak të dëmtimit gjatë muajit të fundit, për Kristiano Ronaldon zor se mund të gjesh alibi.
Keirosh zgjodhi Ronaldon e Danin nga minuta e parë si sulmues krahu ndërsa në qendër u vu Liedson i ndihmuar nga fantazisti i çelsit, Deko. Ndërsa Erikson la në pankinë fillimisht Drogbanë duke iu besur një rol sulmues treshes Zhervinjo-Dindane-Kalou. Por nëse sulmi portugez e kishte të vështirë të krijonte rrezikshmëri te porta e afrikanëve, këta të fundit nuk arrinit që ti shënonin Portugalisë edhe për shkak të një mbrojtje tejet efikase e dirigjuar nga Rikardo Karvajo. Edhe me futjen në fushë në pjesën e dytë të lojës të Drogba sulmi i "Elefentëve" nuk ndryshoi pasi ky i fundit e pati mjaft të vështirë të krijonte hapësira në zona që mbuloheshin më së miri nga portugezët. Edhe me futjen në lojë të Keita në vend të Zhervinjo, loja e Bregut të Fildishtë nuk u gjallërua.
Ylli i Portugalisë u pa në vetëm dy raste: në minutën e 11-të pasi mori një top nga mesi i fushës, dribloi dy lojtarë dhe lëshoi një predhë e cila u ngjit në shtyllën e portës së portierit të Bregut të Fildishtë. Ndërsa 10 minuta më vonë sulmuesi i Realit të Madridit u bë protagonist negativ teksa nuk përtoi të përdorte duart pas një ndërhyrje disi të rëndë të Demel. Arbitri nga ana e tij ndëshkoi si afrikanin dhe portugezin. Kaq, këtu u shua ylli i Ronaldos, i cili edhe për shkak të një mbrojtje të mirë të afrikanëve nuk u ndez më për asnjë çast. Me barazimin e djeshëm, kualifikimi si i Portugalisë dhe i Bregut të Fildishtë komplikohet disi kur mendon se përpara kanë secila nga një sfidë me “penta” Kampionët e Botës, Brazilin e Karlos Dunga.

Bregu i Fildishtë-Portugali 0-0

Kartonë të verdhë: Zokora 7', Demel 21'/ K.Ronaldo 21'
Gjyqtarë: Jorge Larrionda (URU)/ P.Fandino dhe M.Espinoza
Stadiumi: "Nelson Mandela", Port Elizabeth
Spektatorë: 37034
Bregu i Fildishtë: Barri, Kolo Toure, Zokora, Kalou (Drogba 66'), Tiote, Zhervinjo (Keita 82'), Dindane, Tiene, Jaja Toure, Demel, Eboue (Romaric 88'). Trajner: Sven Goran Erikson
Portugalia: Eduardo, Bruno Alves, Paulo Ferreira, Rikardo Karvajo, K.Ronaldo, Mendes, Liedson, Dani (Simao 52'), Meireles (Amorin 85'), Deko (Tiago 62'), Koentrao. Trajner: Karlos Keirosh

Br.Fildishtë Statistika Portugalia
5 Gjuajtje 7
1 Gjuajtje në portë 2
18 Faulle të shkaktuar 13
12 Faulle të pësuar 16
6 Goditje këndi 4
14 Goditje dënimi 18
2 Jashtë loje 1
36 Kohë fiktive/lojë 37
50% Mbajtje e topit (%) 50%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›