E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i pajetë Bekim Fehmiu,mendohet vetëvrasje



është gjetur i pajetë në banesën e tij në Zvezdara, në rrethinën e Beogradit, aktori i njohur me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu. Duke iu referuar një deklarate të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, mediat kosovare thonë se sipas hetimeve paraprake, aktori mund të ketë kryer vetëvrasje, pasi pranë trupit të tij është gjetur edhe një armë zjarri, e cila rezulton të jetë e regjistruar në emër të aktorit. është ende herët për të folur për arsyet që e shtynë aktorin e madh t’i japë fund jetës, megjithatë, mediat serbe raportojnë se kohët e fundit Fehmiu ishte i sëmurë rëndë, ndërkohë që ishte tërhequr prej shumë vitesh nga skena. Kjo mund të jetë një nga motivet, megjithatë, hetimet në vijim, ndoshta hedhin dritë mbi vendimin fatal të aktorit. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh, as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por edhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”, është shprehur dikur ai. Ende nuk dihet se përse e “fajësonte” veten aktori. Ndonëse prej vitesh i tërhequr nga skena dhe ekrani, Bekim Fehmiu, 74 vjeç, ende ruante famën dhe popullaritetin, si një nga aktorët më të famshëm në ish-Jugosllavi. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por edhe atë botërore.
Bekim Fehmiu, lindi më 1 qershor 1936 në Sarajevë. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. I ati, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i arsimit në gjuhën shqipe. Fakultetin e Artit Dramatik e kreu në Beograd nga vitit 1956 deri në vitin 1960, në klasën e profesorit Mate Milosheviq. Fehmiu u bë fillimisht i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Por një nga filmat që do ta ngrinte atë në përmasat e mitit, ashtu si personazhi që interpretonte, ishte “Odisea”, ku ai luante në krah të aktores Irene Papas. Përveçse në Beograd, Fsehmiu e shtriu karrierën e tij edhe në Itali, ku ka bashkëpunuar me regjisorin Dino Laurentis. Të tjera bashkëpunime ka pasur me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për interpretimet e tij. Ndër rolet e tij të fundit është ai në serialin italian “Përgjithmonë Xhulia”, një nga filmat më të dashur për shikuesin shqiptar, në fund të viteve ’80.
I martuar me Branka Petric, babai i Hedonit dhe Uliksit, gjithashtu aktor, Fehmiu nuk u largua nga Beogradi, pavarësisht kombësisë së tij shqiptare dhe politikës antishqiptare serbe. Për herë të parë e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1972 dhe qysh aso kohe është shprehur modestish se do të donte ta mësonte më mirë shqipen. Por i kthyer vite më vonë, si i ftuar në spektaklin e producentes dhe regjisores, Vera Grabocka, “Dua më shumë Shqipërinë”, Fehmiu i ka folur publikut në shqip për minuta të tëra, me një mall të patreguar dhe një ndjenjë të thellë shqiptarie. Për vizitën e tij në Shqipëri, në vitin 1972, ekziston edhe një dokumentar, i cili ndodhet në Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar dhe Institutit “Luce” dhe i shfaqur jo shumë kohë më parë nga “Klan Kosova”. Rrugëtimi i Fehmiut nëpër Shqipërinë zgjat afro 10 minuta dhe është një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”. Dokumentari nis me këto fjalë: “Përfytyrimet për të ishin më konkrete tek njerëzit e artit dhe kinematografisë”. Ai nuk paraqitet si aktor jugosllav, por kosovar. I veshur me një xhaketë lëkure dhe cigaren që nuk e ndan për asnjë moment, Fehmiu viziton edhe xhirimet e filmit për fëmijë, “Kryengritja në Pallat”. Pas aktorëve vinë shkrimtarët dhe Fehmiut i organizohet një pritje në Lidhjen e Shkrimtarëve, asokohe drejtohej nga shkrimtari Dhimitër Shuteriqi. Në video shihet edhe Ismail Kadare. Pas vizitës te shkrimtarët, Fehmiu vizitoi Ministrinë e Kulturës. Më tej ai viziton Krujën, Durrësin, ku sheh amfiteatrin, Gjirokastrën, Butrintin, ku u ndal në veçanti tek “Porta e luanit”, nga thuhet se ka kaluar edhe Odiseja. Nuk mund të mos ndalet në Shkodër, në shtëpinë ku familja e tij kishte jetuar për pak kohë. Por nuk mund t’i shpëtonte edhe një parade komuniste, që aso kohe ishte në modë. Në dokumentar nuk ka asnjë intervistë të aktorit, vetëm disa fraza të shkëputura. Diku ai shprehet se do të ishte i lumtur të luante në një film shqiptar, çka nuk ndodhi kurrë.
Prej vitit 1987, kur në mënyrë demonstrative, në shenjë proteste për histerinë antishqiptare, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Pak kohë më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, të cilin e kishte shkruar qysh në vitin 1985.

Filmat
Disa nga filmat ku ka luajtur janë “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve”, “Të kuq dhe të zinj”, “Borërat e fundit të pranverës”,
“Dëshmitari duhet të heshtë”, “Loja e së vërtetës”, “Një fëmijë me emrin Jezu”, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›