E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili, vuajtje për të mundur Korenë e Veriut



Brazili fiton ndeshjen e parë të Botërorit 2010 ndaj Koresë së Veriut por pa shkëlqimin e parashikuar dhe për më tepër duke vuajtur deri në vërshëllimën e fundit. Faktikisht pritej një Brazil i cili do të mbyllte llogaritë me koreano-veriorët që në 20 minutëshin e parë të takimit. Pritej por nuk ndodhi kështu. Madje futbollistët e Dungës nuk arritën as të shënonin në fraksionin e parë të lojës megjithëse në tërësinë e vet e dominuan atë. Modestët koreanë, të cilët ktheheshin në një kampionat botëror pas 34 vitesh (hera e fundit në Kupën e Botës “Angli 1966”) u mbrojtën mirë dhe në mjaft raste arritën edhe të drejtonin vështrimin nga porta e Hulio Sezar. Kjo bëri që Brazili i Dungës, me një përbërje totalisht të re përkundrejt asaj skuadre që luante në “Gjermani 2006”, të mos arrinte të ishte edhe aq konkretizues.
Madje zhbllokimi i rezultatit erdhi vetëm në pjesën e dytë nga një mbrojtës si Maikon i cili lëshoi një predhë drejt portës së mbrojtur nga Guk Ri nga një pozicion gati i pamundur. Faktikisht portieri koreano-verior mendoi se braziliani do të krosonte në zonë ndaj edhe bëri një hap më para, por Maikon goditi drejt e në portë duke shënuar golin e avantazhit. Më pas sulmet e brazilianëve u shpeshtuan aq sa sollën edhe golin e dytë me autor Elanon. Por atëherë kur mendohej se ndeshja kishte përfundur në favor të pesë herë Kampionëve të Botës vjen edhe surpriza: goli i parë i koreanëve. Një veprim shumë i bukur i Nam Ji, i cili la në vend Juan dhe Maikon, e nxorri përballë Hulio Sezar duke shkurtuar diferencën e golave. Shënjestra e koreanëve do të mbetet veçse një statistikë por ajo që vlen të theksohet është ende loja e dobët e Brazilit në linjën e mbrojtjes. Po të mendosh se në dy ndeshjet e radhës përballë Selesaos do të jenë Bregu i Fildishtë dhe Portugalia, gabime të tilla mund të komprometonin kualifikimin e skuadrës së Dungës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›