E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bleona u zhduk pesë minuta pas kontaktit të fundit me mua”



Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi

Në Zapod të Kukësit, në shtëpinë ngjitur me atë të Bleonës, jeton një personazh, një vajzë 14-vjeçare, që di më shumë se të gjithë detaje nga zhdukja e Bleona Matajt, bukuroshes 6-vjeçare, një ngjarje që ka tronditur mbanë zonën, por edhe gjithë opinionin. Ajo quhet Qamile Mataj, është vajza e xhaxhait të babait të Bleonës, nxënëse në klasën e tetë dhe njëkohësisht edhe shoqja më e ngushtë e Bleonës, pavarësisht moskorrespondimit të moshës. E njëjta, më 21 maj, ka kontaktuar Bleonën në fshat, të njëjtës 6-vjeçarja i është qepur nga pas për të shkuar në mal, por edhe kur kanë mbërritur lart, sërish Qamilja është kujdesur t’i japë një pjesë të ushqimit, madje edhe ta mbajë nën vëzhgim. Një përkujdesje nga e cila shkëputet vetëm 5 minuta. Pesë minuta fatale, që fatkeqësisht qenë të mjafta për të shkruar një tragjedi, një zhdukje për të cilën, edhe pas katër javësh, hetimi nuk ka një version bindës.
Shtrirë në njërin nga shtretërit e dhomave të ulëta dhe të mobiluara me të keq, me pamje të përvuajtur për shkak të apendicitit të sapooperuar në spitalin e Kukësit, Qamilja thotë se ndihet aq e fortë sa të rrëfejë edhe njëherë, hollësisht, ngjarjen, për cilën duket se vazhdon të jetë tepër e interesuar. Dhe rrëfen duke të parë drejt e në sy, edhe pse duket se edhe ajo është lënduar nga akuzat e prindërve të Bleonës në drejtim të vajzave më të rritura, që ishin atë ditë në mal.
Qamile, a mund të na rrëfesh me hollësi se si u gjende pasditen e 21 majit në mal me vajzat e rritura?
Ne shkuam në mal, se andej ka shumë bar për bagëtitë. Unë nuk shkoja përditë, por atë ditë prindërit më mbushën mendjen dhe u nisa me vajzat e lagjes, kushërirat e mia. Ne kemi vetëm një lopë, ndërsa vajzat e tjera kishin nga 2 dhe 3, përfshirë keca e qengja.
Gjatë udhëtimit për në vendin ku qëndruat në mal, vure re ndonjë njeri të njohur apo të panjohur, në largësi apo në afërsi?
Jo, askënd. Vetëm njerëz që punonin në arat që janë poshtë në drejtim të fshatit.
Kur mbërritët në mal dhe kur njëra nga vajzat të kërkoi të ktheheshe në fshat për të marrë grepin me të cilin bënte punë dore?
Në mal duhet të kemi mbërritur rreth orës 4, apo 4 pa 10 minuta të pasdites. Sa mbërritëm te vendi ku më pas u zhduk Bleona, u ulëm të pushonim, ndërkohë që bagëtitë nisën të largoheshin në drejtime të ndryshme, shumica në anën e poshtme, me drejtim fshatin Pakisht. Në këtë kohë, kur nuk kishin kaluar më shumë se 10 minuta, Gentiana Manga, që është e rritur, 23 vjeçe, hapi punën e dorës dhe pasi vuri re se nuk kishte marrë grepin, nisi të më lutej mua, që isha më e vogla e grupit, që të shkoja në fshat dhe ta merrja. Fillimisht i thashë “jo”.
Gentiana bënte përditë punë dore?
Po. Gentiana bënte, ndërsa vajzat e tjera jo. Edhe Diana ka pas bërë dikur, por atë ditë jo.
Nuk t’u duk bezdi të shkoje sërish poshtë në fshat?
Në fillim ashtu mu duk. Madje i thashë Gentianës se nuk shkoj, pasi ka nisur të më dhembë apendiciti, se kisha kohë që vuaja. E gënjeva, se në ato momente nuk kisha shqetësime. Por më pas as vetë nuk e di përse u binda dhe i thashë “po”.
Të dha lekë, të holla, si formë shpërblimi Gentiana?
Jo, asnjë lek. Ku do i gjente lekët Gentiana!?
Por ju keni pohuar se ajo ju dha me vete një celular?
Po, më dha një nga dy celularët që mbante me vete. Më tha se aparati kishte një numër të vjetër. Më tha: Merre me vete që të mos kesh frikë. Ma çoi te një këngë e Arta Bajramit. Dëgjova disa këngë derisa zbrita poshtë.
Celularin ta dha para se të pranoje të shkoje poshtë, apo pasi pranove?
Pasi, pasi. Ma dha kur u nisa. As vetë nuk e di se si u binda të shkoja. Në një moment mendova se me atë rast po pija edhe ujë. (Ndërhyn e ëma, e pranishme në bisedë: Ajo edhe një gotë me ujë nuk ta sjell në shtëpi, por me shoqet...)
Ta kishte lënë ndonjëherë tjetër në duar celularin Gentiana?
Jo, vetëm atë ditë.
Kur shkove poshtë, pra kur u ktheve në fshat, pe ndonjë njeri të sillej rrotull?
Jo, nuk pashë.
Sa ditë rresht kishe shkuar në mal pasditeve, me lopë?
Tri ditë, ose dy. Nuk më kujtohet. (Ndërhyn i ati, Bastri Mataj, i pranishëm në bisedë: Kryesisht jam marrë unë me lopën, Qamilja rrallë ka shkuar dhe vetëm pasditeve, se paradite është në shkollë. Por është dembele si tip. Ndonjëherë i kemi dhënë edhe lekë dhe nuk ka shkuar).
Kur zbrite në fshat, ku i pe Bleonën me të vëllanë?
Po luanin në rrugën para shtëpive tona. U thashë, jo shumë seriozisht, si me shaka: “Ikni në shtëpi”. Se në atë kohë në rrugë po kalonte edhe kali i Idrizit. Se mos i shtypte. Ikën në shtëpi. Pastaj kur u nisa nga shtëpia e Gentianës, pasi kisha marrë grepin, i pashë sërish në rrugë dhe i mora me vete. Bleona më pyeti: Ku do shkosh? Me lopë, i thashë. A është halla ime atje me ju? Po, me ne është, i them. Në këtë kohë kishim mbërritur te shtëpia, ku u ndamë. Unë vazhdova të ngjitesha lart në mal. Dy minuta më pas u ndala në një shkëmb të shihja mos fëmijët po më ndiqnin nga pas, por nuk vura re gjë. Ika.
Vajza, Bleona, të kishte ndjekur ndërkohë?
Po. Tek ai shkëmbi i madh, poshtë vendit ku rrinim me bagëtitë, e pashë.
Qante? Të thërriste?
Jo, nuk qante, por me zor mbushej me frymë. Sa e pashë, u ktheva mbrapsht dhe e mora për dore. Se aty është një vend i rrezikshëm. Sa kaluam shkëmbin, i thirra Alketës, hallës së Bleonës. Ajo erdhi dhe fillimisht i bërtiti: Pse erdhe? Për qejf, iu përgjigj Bleona. Alketa nuk e qortoi më shumë, e mori për dore dhe kështu shkuam në vendin ku ajo u zhduk, se aty rrinim. Halla i shtroi poshtë Bleonës njërin nga dy xhupat që kishte atë ditë më vete, se ajo po ankohej se kishte ftohtë, ndërkohë që me një tjetër xhup, më të hollë, i mbuloi shpatullat. Shapkat, që i kishte të lagura, pasi afër shtëpive kishte kaluar në një rrugë me ujë e baltë, ia hoqëm dhe ia vumë pranë. Na kërkoi bukë. Por vetëm unë kisha pak, sepse vajzat e tjera e kishin konsumuar ndërkohë. Ia dhashë. Ishte një gjysmë kulaçi dhe një gjysmë domateje. Në këtë kohë Alketa, halla, i tha: Prit këtu sa të kthej lopët. Lopët e saj ishin larg, në drejtim të fshatit Pakisht. Në të njëjtën kohë edhe Gentiana u largua për te Diana. Dianën nuk e pashë fare, se ishte te lopët.
A mund ta na thuash se si u shpërndanë vajzat dhe sa larg ishin nga vendi ku po rrinte Bleona?
Halla e Bleonës, Alketa, iku larg, në drejtim të fshatit Pakisht, në lindje, pasi lopët e saj ishin larguar shumë. Diana nuk ishte fare, ishte te bagëtitë e saj, ndërkohë që Gentiana, ajo e grepit, u largua për te Diana menjëherë pas Alketës. E fundit, Rudina, ishte pak metër sipër vendit ku rrinte Bleona. Ishte e ulur, po pushonte. Ajo, bashkë me Alketën, kur unë nuk isha, kishin shkuar te burimi për të pirë ujë.
Sa larg nga aty ishte burimi? Në cilin drejtim?
Nuk është shumë larg. (është rreth 200 metër në drejtim të kundërt, pra në drejtim të fshatit, pothuaj horizontalisht me vendin ku rrinin vajzat, ndërhyn i ati).
Po ju vetë kur u larguat nga vendi ku rrinte Bleona?
Unë me mendjen time nuk u largova e fundit, sepse Rudina ishte në afërsi, e ulur. Pashë Rudinën afër Bleonës dhe ika. Ika të ktheja edhe unë lopën time. Kur u largova nja 10 metër i fola Bleonës: A je aty? Jam, pse bërtet? S’kam ku vete, më thotë. I them: Do vish me mua? Jo, më thotë, do ha bukën. Kur i thirra për herë të dytë nuk mu përgjigj.
Sa larg e kishe lopën, sa kohë t’u desh për ta kthyer?
Pesë minuta mendoj. Se nuk u vonova, vetëm ktheva lopën dhe u ktheva edhe vetë te vendi ku rrinim. Duhet të ketë qenë 50 metër larg. (Mbase më tepër, ndërhyn i ati. Se vajza është e vogël, nuk i ka shumë të qarta këto).
Në cilin drejtim shkove për lopën?
Horizontalisht në drejtim të kundërt me fshatin. Në të njëjtin drejtim nga kishin shkuar edhe tri vajzat e tjera, veç Rudinës.
Pra pas pesë, apo diçka më shumë minutash Bleona nuk ishte më në vendin ku e latë?
Nuk ishte. Pashë xhupin që i kishim shtruar, të paprekur, pashë xhupin tjetër të hedhur pa kujdes rreth 2 apo 3 metër me tej dhe vura re se mungonin shapkat. I thirra Bleonës, por kur nuk mora përgjigje. Por për habi edhe asnjë nga vajzat e tjera nuk më ktheu përgjigje. Mendova se mund të kishte shkuar te burimi, pasi na kishte kërkuar edhe ujë. Shkova me të shpejtë te burimi, por nuk ishte. Nuk pashë askënd rrotull. Atëherë u ktheva sërish te vendi, mora xhupat dhe shkova të thërrisja hallën e Bleonës. (Në atë vend më pas gjetëm edhe mbeturinat e ushqimit, ca thërrime buke e mbetje domatesh si dhe gazetën me të cilën ishin mbështjellë, shton i ati).
A e dinte Bleona se ku ishte burimi?
Ka qenë vjet në mal, madje është ngjitur më sipër. Mendova se meqë kërkoi ujë...
Po Rudina, vajza që pe se ishte në afërsi të vendit ku rrinte Bleona, çfarë tha më pas?
Tha se edhe ajo ishte larguar në të njëjtën kohë për të kthyer qengjat.
Si vepruat, çfarë ndodhi më pas?
Thirra Alketën dhe i thashë mos e kishte parë Bleonën. Por ajo më tha se nuk ishte me të. Pyeta edhe Rudinën: Mos e ke parë ti? Ajo nisi të qeshte. I thashë: Pse qesh? Kot, mu përgjigj. Pyeta vajzat e tjera dhe të gjitha thanë: Do ketë zbritur sërish në fshat. Alketa ndërkohë kontrolloi atë shkëmbin e madh që ndodhet poshtë dhe menjëherë më pas telefonoi në shtëpi.
çfarë mendon se ka ndodhur me Bleonën?
Nuk e di. Jam shumë e mërzitur nga kjo histori. Unë e mora përdore Bleonën dhe ia dorëzova hallës së saj, që është shumë më e madhe në moshë se unë.

Hetimi i vajzave

Gjatë ditës se djeshme sërish njëra nga vajzat që kanë qenë në mal në momentin që u zhduk Bleona Mataj, është marrë në pyetje në Tiranë nga hetues të Krimeve të Rënda. Katër ditë më parë Krimet e Rënda pyetën Alketën, hallën e Bleonës, dhe Gentiana Mangën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›