Fertiliteti: Mosha dhe mbipesha ndikojnë edhe te meshkujt
Të bëhesh prind kur je i ri është më e thjeshtë. Kjo nuk është ndonjë shpikje pasi të gjithë e dinim që çdokush ka orën e vet biologjike që ecën para. Por nëse deri dje mendohej se frikë nga fertiliteti duhej që të kishin vetëm femrat kjo tashmë, sipas studimeve të fundit, vlen jo pak edhe për meshkujt. Pas moshës 35-vjeçare, kualiteti i spermës mashkullore nis të bjerë ndjeshëm, duke sjellë si pasojë pakësim dhe dëmtime të spermatozoidëve normalë. Në këtë pikë, nëse mashkulli i kalon të 35-tat rritet mundësia dhe vështirësitë e shtatzanisë edhe për femrën. E jo vetëm kaq, studimi thotë se për të gjithë ata meshkuj që dëshirojnë të bëjnë fëmijë, edhe një kile më shumë në peshë rëndon mbi një shtatzani normale e të mirë. Studimi në fjalë është bërë nga Qendra e Fekondimit Artificial në Eylau dhe është publikuar edhe online. Shifra të tjera jepen më tej. Përqindja e aborteve kur partneri mashkull është mbi 35-vjeç arrin deri në 33 për qind, ndërkohë që mesatarja është 16.6 për qind. Të paktën këto janë rezultatet e nxjerra nga studimi që përfshin 12 mijë çifte të ndjekura hap pas hapi nga mjekët në qendrën pariziene gjatë periudhës 2002-2006. Një nga specialistet e qendrës studimore thotë se “deri më sot, gjineokologët janë marrë më tepër me studimin e pjellorisë së femrës, e cila duhet të bëjë fëmijë deri në 35-38 vjeç për të mos pasur probleme, por kështu, është lënë pas dore çështja e meshkujve, problemet për të cilët nuk mungojnë...” Ndonëse mashkulli mund të ketë fëmijë pa problem dhe të jetë “baba potencial” edhe në moshën 90-vjeçare, është mirë që të bëheni shpejt baballarë dhe jo më vonë se në moshën 35-vjeçare. Të paktën kështu këshillojnë studiuesit, duke u mbështetur në rezultatet e punës së tyre kërkimore shkencore. Duhet pasur parasysh sipas tyre, se në disa raste mashkulli mund të bëjë fëmijë gjatë gjithë jetës, por në disa raste të tjera, madje në përgjithësi, anormalitë gjenetike sa vjen e shtohen me kalimin e viteve dhe në asnjë mënyrë, meshkujt nuk duhet të rrezikojnë, të mos bëhen baballarë as në moshën 40-45 vjeçare. Siç e thamë dhe më lart, doktorët theksojnë që më parë, ata kishin dyshime se edhe mbipesha ndikon drejpërdrejt mbi fertilitetin mashkullor, e tashmë, pas 2000 kampioneve të spermës të analizuar prej tyre, rezultati është që burrat kanë një tjetër arsye për të mos u shëndoshur!
11 Korrik 2008