Dekreti, Bushi firmos për Shqipërinë në NATO
TIRANË - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dëshmuar edhe një herë se mbeten një vend mik për shqiptarët. Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, ka shpallur dje dekretin e tij për hyrjen në fuqi të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Presidenti amerikan ka firmosur Protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, duke i dhënë fuqi ligjore aktit të Kongresit Amerikan, i cili e ratifikoi atë me unanimitet, më 25 shtator 2008. Nënshkrimi i protokolleve bëhet për herë të parë në një ceremoni zyrtare, çka tregon për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këto dy vende të Europës Juglindore. Megjithëse një procedurë krejt formale, SHBA-ja i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, duke u dhënë një shtysë edhe më të madhe vetë vendeve aspirante për vazhdimin e reformave, duke ftuar të marrë pjesë në momentin e nënshkrimit edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Schefer. Në një njoftim zyrtar të zyrës së këtij të fundit, thuhej dje se, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka thënë se Aleanca Veriatlantike vazhdon të mbetet e përkushtuar për vendet, të cilat janë aspirante të NATO-s, duke konfirmuar njëkohësisht pjesëmarrjen në ceremoninë e rastit në Shtëpinë e Bardhë. Scheffer-i ishte i ftuari i posaçëm i presidentit amerikan Xhorxh Bush, për të asistuar edhe ai në këtë ceremoni, e cila u mbajt në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe të ftuar nga përfaqësitë diplomatikë të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-ja, i hap rrugën procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet e tjera anëtare të kësaj organizate politiko-ushtarake. Dekretimi i protokollit nga Bushi, merr një vlerë edhe më të madhe, pasi mund të shërbejë si shtysë që edhe vendet e tjera të Organizatës së Atlantikut të Veriut të bëjnë të njëjtin veprim. Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në NATO, në prill të këtij viti, në Samitin e Bukureshtit dhe, që nga ajo kohë, protokollin e anëtarësimit, e ka miratuar edhe Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Bullgaria.