Pakti, qeveria përjashton nga taksat bashkësitë fetare
Firmoset marrëveshja. Komunitetet fetare në Shqipëri nuk do të kenë më detyrime tatimore ndaj shtetit shqiptar.
TIRANË- Komunitetet fetare në Shqipëri nuk do të kenë më detyrime tatimore ndaj shtetit shqiptar. Qeveria ka firmosur dje marrëveshjen me tre bashkësitë fetare përkatësisht, Komiteti Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, nëpërmjet të cilës angazhohet ti përjashtojë ato nga taksat, ndërsa merr përsipër të përshpejtojë punën për rikthimin dhe kompensimin e pronave për këto bashkësi. Për nënshkrimin e kësaj marrëveshje është zhvilluar një ceremoni e posaçme nga Ministria e Kulturës, ku ka marrë pjesë kryeministri Sali Berisha dhe krerët e bashkësive fetare në vend, Kryetari i Komunitetit Musliman Selim Muça, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Dede Reshat Bardhi dhe Arqipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, Imzot Rrok Mirdita.
Marrëveshja
Marrëveshja është nënshkruar midis Ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe tre krerëve të bashkësive fetare, që janë pjesë e kësaj marrëveshje dhe përkatësisht Selim Muça për komunitetin Musliman, Anastas Janullatos për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Baba Dede Reshat Bardhi Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Ndërkohë që më parë qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje të tillë edhe me Kishën Katolike. Marrëveshja e nënshkruar krijon lehtësira fiskale duke përjashtuar komunitetet fetare nga taksat dhe mundëson përshpejtimin e punës për rikthimin dhe kompensimin e pronave të tyre. Gjithashtu marrëveshja parashikon hartimin e një ligji specifik për financimin e bashkësive fetare nga shteti duke u bazuar në përvojën europiane për mbështetjen e veprimtarive të bashkësive fetare. Kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj theksoi se në projektligjin për fenë që do të përgatitet do të gjejnë pasqyrim edhe problemet që do të kenë bashkësitë dhe grupet e tjera fetare.
Berisha
Kreu i qeverisë Berisha, e vlerësoi marrëveshjen një dokument historik dhe u zotua për zbatimin e saj dhe për hartimin e një ligji për financimin e tyre. “Marrëveshja që ne sot firmosim me autoritetet më të larta fetare të vendit shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. Ndaj marrëveshja është njëdokument historik dhe dua t`ju garantoj ju udhëheqësve më të lartë të besimeve të mëdha të kombit se do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e saj, për jetësimin e saj në interesin më të mirë të vendit dhe kombit”, - tha kryeministri Berisha. Gjithashtu duke përfituar nga rasti ai ka shprehur nevojën që shtetit shqiptar ti drejtoj një ndjesë publike të gjitha përfaqësive të komuniteteve fetare në vend dhe të gjithë besimtarëve që për dekada me radhë u privuan nga e drejta e besimit. “Nuk mund të mos theksoj se kjo marrëveshje në vetvete mbart detyrimin madhor të këtij shteti për t`u paraqitur një ndjesë të thellë, një falje të gjithë atyre klerikëve shqiptarë, besimtarëve shqiptarë që për besimin tek Zoti, tek e vërteta u flijuan, u sakrifikuan, por qëndruan të pamposhtur, pasuruan altarin e martirëve të këtij kombi, me vlera që ndrisin dhe do ndrisin përjetë”, - theksoi kreu i qeverisë.