E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji, Alibeaj sheq dorë nga Prokuroria

 

Ministria e Drejtësisë i jep fund negociatave për ligjin e ri për Prokurorinë, pa u tërhequr nga qëndrimet e veta

Alibeaj dorëzon versionin e parë të draftit për Prokurorinë, pa marrë parasysh kundërshtimet

TIRANË- “Shumë zhurmë për asgjë”. Kështu rezultuan debatet mbi ligjin e ri për prokurorinë, edhe pas kritikave të ndërkombëtarëve e negociatave mes palëve. Ministria e Drejtësisë e ka konsideruar të mbyllur këtë çështje, duke mos ndryshuar asnjërën prej pikave të papranueshme prej organit qendror të akuzës, e duke dorëzuar draftin e sajtë kontestueshëm. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët shtuan për “Shekullin” se ministri Enkelejd Alibeaj ka firmosur versionin e tij, duke ia lënë “në derë” prokurorisë dhe grupeve tëtjera të interesit. Mësohet se Ministria e Drejtësisë nuk është tërhequr prej qëndrimit të saj primar për heqjen e imunitetit të prokurorit, në rastin e arrestimit, për uljen e pagave, për dualitetin me Prokurorin e Përgjithshëm, sa i përket raportimit para Kuvendit apo edhe për çështje të tjera që janë debatuar gjerësisht gjatë muajit të fundit.

***

Zëdhënësja e ministrit të Drejtësisë, Migena Demirxhi, e kontaktuar nga “Shekulli” mbrëmjen e djeshme pohoi se: “Në takimin e datës 6 tetor, anëtarët e këtij grupi ka rënë dakord që brenda 10 ditësh, secili prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve do të paraqisnin me shkrim përgjigjet dhe pretendimet e tyre në lidhje me këtë draft ligjor. Me datë 16 tetor asnjëri nga këto grupe interesi nuk kanë sjellë pretendimet e tyre. Po në këtë ditë, grupi i punës i Ministrisë së Drejtësisë ka vendosur të shpërndajë versionin përfundimtar në lidhje me këtë draft ligjor. Pika më e kundërshtuar e prokurorisë, ajo e heqjes së imunitetit të prokurorëve, ka mbetur e pandryshuar. Ministria e Drejtësisë nuk do të heqë dorë nga kjo pikë, ndërkohë që misioni EURALIUS dhe ai OPDAT kanë shprehur miratimin e tyre për këto ndryshime”,-tha zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkaq, burimet zyrtare të prokurorisë sqaruan se të gjitha takimet dhe debatet e zhvilluara në Ministri të Drejtësisë për këtë draft ligjor ishin të kota, pasi asnjë nga pikat e kërkuara dhe të kundërshtuara edhe nga organizatat e huaja të cilat japin ndihmën dhe asistencën e tyre për drejtësinë në Shqipëri nuk janëreflektuar.

***

“Drafti përfundimtar i Ministrisë së Drejtësisë është dorëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, pa ndryshuar thuajse asgjë nga versioni i parë i “hedhur në treg” nga grupi i punës së Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha pretendimet dhe kundërshtimet e Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve nuk janë marrë parasysh, duke ndryshuardraftin ligjor vetëm në disa pjesë të vogla, që janë pak të rëndësishme në punën e prokurorisë”,-thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.Mësohet se në draftin ligjor, tashmë të përfunduar, Ministria e Drejtësisë nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj në lidhje me pezullimin nga detyra të prokurorit; nuk është ndryshuar apo rregulluar me ligj garancia e punës së prokurorit (imuniteti); është parashikuar sërish raportimi i Ministrit të Drejtësisë pranë Kuvendit për punën e Prokurorisë; është vendosur ndryshimi i numrit të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë pranë Këshillit të Prokurorisë; nuk është ndryshuar neni për pagat dhe shpërblimet që i ulen 20 %pagës prokurorëve; nuk ka ndryshuar neni i mënyrës së shpërndarjes së kallëzimeve, që sipas ministrisë duhet të bëhet në bazë të rendit alfabetik. Sipas prokurorisë, të gjitha ato pika që janë kundërshtuar nga prokuroria nuk janë ndryshuar, duke lënë të pa ndryshuar draftin-ligjor që i është vënë në dispozicion fillimisht Prokurorisë së Përgjithshme.

REAGIMI

Prokuroria: Nuk kemi marrë asnjë draft përfundimtar

TIRANË- Në kohën që Ministria e Drejtësisë i ka dhënë fund draftit “për Prokurorinë”, në organin qendror të akuzës askush nuk është njoftuar për këtë gjë. Madje, prokurorët që kanë marrë pjesë në grupin e punës për ndryshimet ligjore presin një tjetër takim përfundimtar për këtë çështje. Mungesa e koordinimit mes dy institucioneve, edhe për një çështje të rëndësishme siç është drafti për prokurorinë duket se ka anuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila i ka dhënë dorën e fundit draftit dhe ia ka nisur atë grupeve të interesit. “Diskutimet për draftin nuk kanë përfunduar ende. Në takimin e fundit vendosëm të mblidheshim sërish”,-bën me dije një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili shton se nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë marrë asnjë draft të përfunduar. Vetë prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka konsideruar publikisht të papranueshme disa prej ndryshimeve ligjore, duke kërkuar ndryshimin e tyre dhe konsensus më të gjerë në hartimin e ligjit të ri. 

DRAFTI

EURALIUS, takim me shoqatën e prokurorëve

TIRANË- Paraditen e sotme pritet të zhvillohet një takim pune, i organizuar nga misioni i Bashkimit Evropian për asistencë në sistemin e drejtësisë, EURALIUS dhe me pjesëmarrjen e shoqatave të prokurorëve e gjyqtarëve. Sipas organizatorëve, pritet që në takim të marrin pjesë katër përfaqësues të prokurorisë, mes tyre përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe asaj të Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe shoqatave të gjyqtarëve.Mësohet se në këtë takim pritet të diskutohet në lidhje me projektligjet që Ministria e Drejtësisë ka propozuar për “organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme”, por edhe ato për administratën gjyqësore. Gjatë këtij takimi pritet që misioni EURALIUS të japë qëndrimin e vet në lidhje me draftin më të diskutuar, atë të Prokurorisë, për të cilën si ky mision, ashtu edhe misioni OPDAT kanë shprehur rezervat e tyre për ndryshimet ligjore si dhe për mungesën e debatit të projektligjit megrupet e interesit. Nga ana e tyre, këto dy misione i kanë cilësuar dy projektligjet e fundit të propozuara nga ministri Alibeaj si tentativë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›