Presidenti në KLD: Politika, larg institucioneve të pavarura
Kreu i Shtetit, Bamir Topi, komenton nga Peshkopia konfliktin mes ekzekutivit dhe prokurorisë. Kritikon projektligjet për drejtësinë
DIBËR- “Politika të qëndrojë larg institucioneve të pavarura”. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka preferuar të komentojë përplasjen e kohëve të fundit mes ekzekutivit dhe prokurorisë nga qyteti i Peshkopisë, ku ndodhej për mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në fjalën e tij, Topi u shpreh se institucionet e drejtësisë duhet të bëhen të pavarura, duke i bërë kësisoj apel politikës të qëndrojë larg institucioneve të pavarura. “ Këshilli i Lartë e Drejtësisë është jo vetëm i ndërgjegjshëm, por edhe shumë i ndjeshëm ndaj debatit publik, edhe ndaj debatit politik, por sidomos është i ndjeshëm ndaj kërkesave të kohës”,- u shpreh presidenti i vendit, duke shtuar se: ”dëshirojmë që në Shqipëri të mos ketë më procese politike, por ta kthejmë Shqipërinë në çdo qelizë të saj një shtet të së drejtës dhe nga ana tjetër nuk dëshirojmë që të ketë kontroll politik mbi institucionet e pavarura”.
***
“Jemi para sfidave të rëndësishme, ku politikisht kemi zgjidhur çështjen e integrimit në NATO dhe BE, por në këtë rrugë do të thoja mjaft të rëndësishme, të vështirë, kërkohet realizimi i standardeve. Dhe për sistemin e drejtësisë kërkohet një luftë pa kompromis për të rritur standardet, një luftë pa kompromis e ndërtimit ekonomik, krimit ordiner, por dhe kundër çdo simptome të korrupsionit”, -u shpreh në mbledhjen e KLD-së presidenti Bamir Topi. Në fjalën e tij Topi u shpreh se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavaruar, gjë e cila nuk mund të realizohet brenda një dite, brenda një jave apo brenda një muaji. “Duhet krijuar një frymë ku gjykatësi, prokurori, politikani, përfaqësuesi i institucioneve, duhet të jenë koshientë që kjo është një betejë për demokraci. Secili duhet të bëjë transparencën e vet tek vetvetja dhe në radhë të parë, ne ta kërkojmë tek sistemi i drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që është krijuar një imazh, do të thoja mbi bazën e një vlerësimi afatgjatë për institucionet e drejtësisë dhe këtë imazh ne duhet ta ndryshojmë patjetër”, -shtoi më tej Topi
***
Presidenti Bamir Topi ka kritikuar gjatë mbledhjes së djeshme edhe ligjet për drejtësinë, duke kërkuar që ato të miratohen në frymën e një konsensusi të gjerë, çka rezulton të mos jetë bërë gjatë kohëve të fundit. “Duhet që ligjet për drejtësinë të jenë ligje të miratuara me një konsensus sa më të gjerë dhe kam parasysh këtu jo thjesht konsensuse politike, të cilat mund të realizohen dhe brenda ditës, por konsensus të gjerë. Që ligji të jetë patjetër sipas standardit, duhet të jetë patjetër komunikimi me juristët. Jemi mësuar t’i quajmë “grupe interesi”, por ka një konotacion jo fort të këndshëm “grup interesi”, por me njerëz që punojnë në institucione. Ne duam që të vendosim kolona të forta në sistemin e drejtësisë në mënyrë që ky sistem të ketë një lloj vetëpastrimi”,- u shpreh në fjalën e tij presidenti Topi. Sistemi i drejtësisë, ka Kushtetetutë e ligje, sipas presidentit, ndaj edhe nuk duhet të ndikohet nga politika sepse politika shkon shpeshherë edhe me konjuktura politike, mund ta ndryshojë pozicionin sipas interesave politike, por për drejtësinë shinat janë të përcaktuara nga ligji.
PROCEDIMET
KLD ndëshkon dy gjyqtarët e parë
PESHKOPI-Këshilli i Lartë i Drejtësisëka ndëshkuar gjyqtarët e parë të listës për procedim penal. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në Peshkopi, KLD ka marrë vendimin për shkarkimin e një gjyqtareje nga Vlora dhe për pezullimin nga detyra dhe heqjen e imunitetit për një tjetër gjyqtar. Anëtarët e KLD votuan për shkarkimin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Vlorës, Mirela Mishgjoni. Vendimi i KLD-së erdhi pasi gjyqtarja në fjalë akuzohet se ka abuzuar me detyrën e saj. Pak para këtij vendimi, KLD mori vendim për pezullimin dhe heqjen e imunitetit të gjyqtarit Vesel Bako. Gjyqtari ishte filmuar duke marrë ryshfet dhe ishte denoncuar në prokurori. Prokuroria ka filluar hetimet për të, duke kërkuar në KLD heqjen e imunitetit të këtij gjyqtari, në mënyrë që t’i hapej rruga procedimit penal. Po dje është diskutuar edhe rasti për gjyqtarin Murat Lleshi. KLD e shtyu procedimin ndaj tij pasi gjyqtari Lleshi nuk u paraqit në mbledhjen e Këshillit, që u zhvillua dje në qytetin e Peshkopisë e u paralajmërua se mbledhja tjetër do të zhvillohet në Vlorë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka premtuar që brenda këtij viti do të shqyrtojë 12 procedime ndaj gjyqtarëve, mes të cilëve edhe gjyqtarët që “falën” Mihal Delijorgjin për veprën penale të evazionit fiskal.