E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli i Shqipërisë në NATO, Topi falenderon Presidentin Bush

Tiranë-Presidenti i Republikës Bamir Topi ka përcjellë sot një mesazh falenderimi për Presidentin amerikan Xhorxh Bush, pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Shpreh mirënjohje dhe falenderime të përzemërta për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i jepni Shqipërisë dhe popullit shqiptar”. Kështu i drejtohet Topi, presidentit amerikan ndërsa vijon: “Nënshkrimi nga ana juaj e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i mbështetur unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rikonfirmoi besimin se vendi juaj mbetet aleati më i madh dhe i besueshëm i Shqipërisë”.

Sipas mesazhit të presidentit shqiptar, Topi, firmosja zyrtare e protokollit nga Bush inkurajon proceset demokratike në Shqipëri e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, nje shtet të aftë për përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush firmosi mbrëmë marrëveshjen e cila bën të mundur anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Të premten në Shtëpinë e Bardhë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimin në prezencën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Shefer, dhe personalitete të tjera të diplomacisë së huaj dhe shqiptare. Ky vendim i marrë nga senati i SHBA-së dhe i njohur edhe nga Presidenti Bush ndihmon në anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancën e Atlantitukut Verior.

Në këtë ceremoni Bush rikonfirmoi mbështetjen e SHBA për Gjeorgjinë, Ukrahinën, Bosnje Hercegovinën, Malin e ZI dhe Serbinë, nëse ajo zgjedh këtë rrugë. Ai tha se SHBA mezi pret ditën kur në NATO të hyjnë të gjtha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë, anëtarësimi i së cilës po mbahet peng nga Greqia për shkak të kontestit me emër.

Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit që u zhvillua në prill. Shqipëria dhe Kroacia do të mund të hyjnë në NATO kur 26 vendet aleate do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të tyre. Sllovakia, Hungaria, Bullgaria janë disa nga vendet, parlamentet e të cilëve kanë ratifikuar protokolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›