Drafti i ri: Nëpunësi civil mund të marrë pjesë në fushata
TIRANË Një projektligj i ri “Për nëpunësin Civil”, i depozituar në Kuvend dhe që nuk ka filluar ende të shqyrtohet nga komisionet parlamentare, pritet të sjellë debate mbi rolin e ardhshëm të nëpunësit civil, por edhe disa rasteve që ky draft ka parashikuar lidhur me pezullimin e tij nga puna. Një draft i përbërë nga 69 nene përmban për herë të parë edhe një paragraf absurd lidhur me pezullimin nga puna me kërkesë të nëpunësit civil. Ndryshe nga sa trumbetohet dhe harxhohen me mijëra euro projekte për depolitizimin e administratës, në këtë draft të ri paraqitet një nen kryekëput kundër këtyre standardeve. Në nenin 53 të projektligjit “Për nëpunësin Civil” thuhet se nëpunësi civil mund të pezullohet me kërkesë të tij, kur ai merr pjesë në fushata elektorale, deri në një muaj. Pra, nëse ky draft miratohet nga Kuvendi, atëherë nëpunësi civil do të gëzojë të drejtën me ligj që të marrë pjesë nëpër fushata elektorale dhe aktivitete partiake pa u pushuar nga puna. Në bazë të këtij drafti, nëpunësi civil mund të pezullohet me kërkesë të motivuar prej tij edhe për shkak të një tjetër interesi të ligjshëm të tij, për një periudhë deri në dy vjet. Kërkesa për pezullimin duhet të paraqitet me shkrim të paktën 15 ditë përpara datës së kërkuar për pezullim. Nëpunësi civil mund të bëjë një kërkesë për pezullim për periudha studimi më shumë se një muaj deri në 2 vjet. Pezullimi në këtë rast nënkupton ndërprerjen e përkohshme të detyrës. Gjatë kësaj periudhe, marrëdhënia e shërbimit civil nuk mund të përfundojë dhe nuk mund të ndryshojë, përveçse me iniciativën e nëpunësit të pezulluar, ose kur parashikohet shprehimisht nga ky ligj.