E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekreti i Topi për mbetjet, demokratët shprehen kundër

Deputetët demokratë në komisionin për Veprimtarinë Prodhuese pritet të kundërshtojnë sot dekretin e Presidentit “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’”. Socialistët janë pro dekretit, ndërsa nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë LSI-ja

TIRANË Deputetët demokratë në komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pritet të kundërshtojnë sot dekretin e Presidentit “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’”. Anëtarët demokratë në këtë komision deklaruan dje për gazetën “Mapo” se ligji i miratuar në Kuvend pak kohë më parë pritet të kalojë sërish pa asnjë ndryshim, duke rrëzuar dekretin e Presidentit. Pak ditë më parë, në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, kryeministri Berisha sulmoi presidentin Topi lidhur me kthimin e ligjit për importin e mbetjeve. Berisha tha se ligjet aktuale janë të mira, pavarësisht qëndrimeve, që, sipas tij, mban “aleanca e plehut”. “Qeveria ka kohë që merret periodikisht me këtë problem dhe do të merret në mënyrën më intensive, do të përcaktohen të gjitha rregullat për përgjegjësitë, sepse ligjet tona për mjedisin janë shumë të mira, janë ndër ligjet më të avancuara, të standardeve më të mira. Le të thotë çfarë të dojë aleanca e ‘plehut’, apo e antiglobalëve, por kjo qeveri ka pasur dhe do të ketë përparësi absolute mbrojtjen e mjedisit dhe i garantoj mjedisorët se unë jam njëri prej tyre, por jo antiglobal”,- u shpreh Berisha pak ditë më parë. Paralajmërimi për kalimin pa asnjë ndryshim të ligjit erdhi edhe nga zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino, i cili kundërshtoi i pari kthimin e draftit për rishqyrtim në Kuvend nga ana e Presidentit të Republikës. Sipas tij, refuzimi i ligjit nga ana e kreut të shtetit ishte bërë në mungesë të argumenteve kushtetuese. Bino deklaroi se ligji është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar të deritanishëm dhe nuk shfaq asnjë kundërshti në mes dispozitave të tij. Por Presidenti i Republikës në argumentet e tij që shoqëruan dekretin për kthimin e draftit për rishqyrtim e konsideronte nenin që lejonte importin e mbetjeve në Shqipëri si në kundërshtim me vetë objektin e ligjit. Zbatimi i nenit për importin i përfshirë në ligjin e miratuar nga Kuvendi, sipas kreut të shtetit, jo vetëm që nuk ndihmon në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton më shumë përdorimin e burimeve të mbetjeve. Presidenti i Republikës theksonte se ligji kishte nevojë që të shkojë në përputhje me ato parime që janë të vyera për çdo shqiptar. Por pavarësisht këtij debati dhe pretendimeve që nga PD-ja konsiderohet thjesht politik dhe nga Presidenti si në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, drafti “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” pritet që të ketë sërish të njëjtën përmbajtje. Grupi parlamentar i PD-së pritet që ta rrëzojë dekretin e Presidentit, ndërkohë që nuk dihet ende se cili do të jete qëndrimi që do të mbajë vetë LSI-ja. Për të rrëzuar një dekret të Presidentit duhen plot 71 vota. Nga ana e saj, PS-ja e ka dhënë qëndrimin duke mbështetur plotësisht këtë dekret.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›