E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadon afati, KQZ nuk bën transparencën e fondeve të partive

KQZ duhet të kishte nisur procedurën dhe të kishte thirrur mbledhjen për përcaktimin e ekspertëve kontabël që do të bëjnë auditimin pranë partive të evidencave dhe faturave për fondet e fushatës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “harron” të bëjë transparencën e fondeve financiare që kanë përdorur partitë politike gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Harresë kjo që ka çuar në shkelje ligji nga ana e KQZ-së, pasi ka skaduar afati 45-ditor që Kodi Zgjedhor përcakton për nisjen e procedurave për auditimin e fondeve të përdorura nga çdo subjekt zgjedhor në garën elektorale që lamë pas.

Shkelja

“Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore”, - përcakton neni 91 i Kodit Zgjedhor në lidhje me auditimin dhe transparencën e fondeve apo donacioneve të përdorura nga partitë politike në një fushatë zgjedhore. Por ky detyrim ligjor rezulton të mos jetë respektuar nga ana e institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, të cilit Kodi i ngarkon edhe detyrën e bërjes së transparencës së burimeve dhe fondeve të përdorura nga çdo subjekt elektoral në zgjedhje. Kjo pasi vendimi përfundimtar i shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve lokale të 8 majit, që përcakton si referencë kohore neni i mësipërm i Kodit Zgjedhor, është marrë pikërisht më datë 15 shtator. Duke llogaritur afatet, rezulton se 45-ditëshi që kërkon ligji ka përfunduar dje, më datën 30 tetor. Pra, brenda datës së djeshme KQZ duhet të kishte nisur procedurën dhe të kishte thirrur mbledhjen e saj për të hedhur shortin për përcaktimin e ekspertëve kontabël që do të bëjnë dhe auditimin pranë subjekteve zgjedhore të evidencave dhe faturave që vërtetojnë fondet e përfituara nga ato për fushatën zgjedhore. Megjithatë, burime pranë KQZ-së kanë bërë të ditur se, megjithëse me vonesë, administrata ka nisur punën për marrjen e listës së ekspertëve kontabël, ndërkohë që në ditët në vijim duhet të thërresë dhe mbledhjen për hedhjen e shortit, procedurë e cila tashmë duhet të zhvillohet jashtë afateve ligjore.

Ligji

Ligji përcakton në mënyrë të qartë se ekspertët që do të zgjidhen nëpërmjet shortit për secilën parti, do duhet të bëjnë një raport të detajuar për fondet e përdorura si dhe burimet e sigurimit të tyre. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit dhe ai nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën prej 100 mijë lekësh. Sipas ligjit, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Pikërisht këto të dhëna, pra regjistra, deklarata të donatorëve, dhe gjendja e llogarisë bankare, subjektet zgjedhore duhet t’i vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja. Ndërkohë KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, të cilat mund të përshijnë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›