E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekreti, më 2 gusht zgjedhje në Ballagat

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar 2 gushtin si datën e zgjedhjeve lokale në Komunën e Ballagatit në Qarkun e Fierit. Dekreti është firmosur dje nga kreu i shtetit dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. Tashmë votuesit e Komunës së Ballagatit në rrethin e Lushnjës pas pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do t‘u duhet të shkojnë sërish përpara kutive të votimit, gati një muaj më vonë më 2 gusht. Kësaj radhe ata duhet të vendosin për drejtuesin lokal. Vendimi për zgjedhje vendore në Komunën e Ballagatit është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-ës. Në këto zgjedhje ka dalë fitues për këtë komunë Fatos Sharka. Ky doli si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të 2007, për faktin e vetëm se nuk pranoi koalicionin PS-LSI. Ai ishte anëtar disa vjeçar i PS-së së Lushnjës dhe të Ballagatit. Fitorja e tij nuk zgjati më shumë, pasi këshillin e komunës që ai formoi, nënprefektura e Lushnjës dhe qeveria nuk e njohu kurrë. Madje, vendimin e shkarkimit të tij Fatos Sharka e kundërshtoi dhe e çoi si çështje deri në Gjykatën e Lartë. Këtu nis odiseja e gjatë mes tij dhe drejtësisë. Ai ndiqet penalisht për shpërdorim detyre dhe dënohet për këtë vepër penale, ndërsa kishte kryer padi edhe ndaj Këshillit të Ministrave. Qeveria me vendimin nr.1583, datë 3.12.2008 të Këshillit të Ministrave, ka vendosur shkarkimin nga detyra e kryetarit të Komunës Ballagat. Si bazë për marrjen e këtij vendimi ka shërbyer propozimi i ministrit të Brendshëm nr.8350, datë 02.11.2008, drejtuar Këshillit të Ministrave. Propozimi është mbështetur në faktin se Fatos Sharka, me vendimin nr.181, datë 21.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Lushnjë, ku ai është dënuar me 2 muaj burgim dhe 300 000 lekë gjobë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›