Topi: Nuk do të ndërhyj në fushatë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë intervistës së dhënë në "Top Channel" në emisionin "Top Story" të Sokol Ballës ka bërë një koment të situatës parazgjedhore edhe cilat janë perspektivat pas zgjedhjeve. Në fillim Presidenti shpjegoi publikisht arsyen e bojkotit të vizitës së Novi Sad-it në Serbi. Ai tha se nuk ishte bojkot për shkak të impenjimeve të forta që lidhen me zgjedhjet dhe me impenjimet e tjera që nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet. "Unë kam njoftuar për mospjesëmarrjen time në këtë samit", tha Topi. Në lidhje me çështjen e pjesëmarrjes së Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, unë e kam bërë publik qëndrimin tim disa herë. Kreu i shtetit theksoi se tashmë Kosova është një shtet i pavarur dhe është i mirëpritur nga ndërkombëtarët. Presidenti bëri të ditur se me 23 dhe 24, ai ka organizuar në Vlorë një takim të rëndësishëm ku ftoi Presidentin e Kosovës, të Malit të Zi dhe Maqedonisë. Pas këtij sqarimi, kreu i shtetit është kthyer te fushata elektorale ku u shpreh se ajo po bëhet në dinamikën e saj, por theksoi se nuk ka të njëjtën dinamikë si zgjedhjet e tjera. "Kjo imponohet edhe nga ligji i ri zgjedhor, i cili të detyron të sillesh ndryshe dhe ta përjetosh ndryshe fushatën", u shpreh Topi. Ky ligj i ri, tha ai, ju jep më shumë protagonizëm liderëve të partive politike. Duke komentuar atë çka është cilësuar shmangie nga listat e kandidatëve të mbështetësve të tij brenda PD-së, Topi tha se "unë kam pasur rastin të njihem nga afër me personalitete të shumta, të cilët jo gjithmonë arrijnë të shkojnë deri në fund. Është thënë dhe është stërthënë se politika është biznes, por politika kërkon edhe maturi edhe veprime, edhe forcën e veprimit". Janë disa elementë, që sipas tij kërkojnë një kombinacion fitues, përndryshe rrezikon të mos jesh në një grupim politik. "Kështu që unë respektoj vendimet individuale dhe personale, sidomos për ata persona për të cilët kam admirim dhe kam vlerësimin tim tek ato gjëra që kam parë tek ata", nënvizoi Topi. Në lidhje me incidentet e shënuara së fundi gjatë fushatës, Presidenti theksoi se nuk janë elementë të qytetarisë dhe kërkoi që të jenë raste të cilat mund të konsiderohen të mbyllura. Ditët e mbetura tha Topi le të jenë ditë harmonie dhe zgjedhjet e 28 qershorit duhet të konsiderohen si festë e demokracisë, pasi ne jemi në mbyllje të tranzicionit. Ngjarjen e Qerretit, Topi e vlerësoi si tragjike dhe shumë afër metropolit shqiptar, ku siguria duhet të jetë edhe më e madhe, por janë ngjarje, sipas tij, të cilat nuk i takojnë një vendi i cili aspiron të jetë pjesë e BE-së. Presidenti theksoi se nuk do të interferojë në politikën e fushatës, por ai kërkoi që fjalimet e liderëve të politikës të jenë të qeta dhe larg frymës konfliktuale. Në lidhje me debatet televizive, Topi tha se disa prej tyre janë në rritje, por ka ende politikanë që kanë mbetur në retrospektivë dhe kjo nuk i shërben zhvillimit të politikës. Presidenti vlerësoi institucionin e KQZ-së, sepse ai tha Topi, është institucioni që certifikon zgjedhjet në Shqipëri. Duke u ndalur te mediat dhe fushata, Topi theksoi se partitë e mëdha dominojnë dukshëm fushatën elektorale në media. Presidenti shprehu bindjen e tij se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të qeta. Gjithashtu, Presidenti vlerësoi edhe rritjen e numrit të përfaqësimit të femrave në Parlament.