E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Premtojmë zgjidhjen e plotë të çështjes çame

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, sqaron pse pranoi të përfshihet në koalicion me Partinë Demokratike. Muhedini thotë se kjo forcë politike do të arrijë ta ngrejë zërin edhe më lart për zgjidhjen e çështjes çame. Prezenca në Parlament me karrige deputeti, sipas Muhedinit, e garanton këtë qëllim.

Zoti Muhedini, pse zgjodhët të jeni në koalicion me PD-në në këto zgjedhje?

Kryesia e PDI-së vendosi unanimisht që të hyjë në bisedime me kryetarin e PD-së dhe me kryetarin e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Me kryetarin e PS-së nuk gjetëm hapësira për të biseduar, me PD-në gjetëm hapësira, ndoshta ngaqë programi ynë përkon edhe me programin e demokratëve. Kjo, pasi në program kemi pronat, kemi të drejtat e njeriut, gjenocidin, kemi çështjen çame etj. Gjatë këtyre viteve të demokracisë PD-ja ka dhënë kontributin më të madh se çdo forcë tjetër politike për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Po ta filloj që nga sistemi i diktaturës, popullsia shqiptare çame u diskriminua nga ai sistem me vrasje, burgosje e gjyqe false, duke filluar që në vitin ‘48, ‘49, ‘55. U hoq shtetësia greke dhe iu dha shtetësia shqiptare pa pyetur asnjë individ dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut dhe të konventave ndërkombëtare. Në vitet ‘60, të gjithë intelektualëve çam që punonin në institucionet shtetërore, sistemi komunist u krijoi një gjyq fals dhe pushkatoi gati ‘60 veta e më pas nisi denigrimi i popullatës çame. Me ndryshimin e sistemit, PD-ja këtë popullsi e afroi dhe u fitua një deputet në ‘91-shin nga popullata çame dhe në ‘94-ën Presidenti i atëhershëm, sot Kryeministër, dekretoi dhe njohu 27 qershorin si ditë e gjenocidit grek ndaj popullsisë së pafajshme çame. Në ‘96-ën, po PD-ja bëri një traktat miqësie mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ky traktat nga ‘96 deri më sot nuk ka kryer asnjë funksion. Këto janë disa gjëra të bëra nga PD-ja për çamët, ndërsa PS-ja për tetë vjet nuk ka shkruar asnjë germë për çamët, as këtu dhe as në institucionet ndërkombëtare. Ndaj vendosëm të bashkëpunojmë me PD-në në këto zgjedhje.

Cilat janë objektivat kryesorë të PDI-së në këto zgjedhje?

Ne kemi një panoramë të qartë të elektoratit tonë mbështetës ndaj dhe nuk bëj ecejake lart e poshtë nëpër ato rrethe, ku e dimë se mbështetësit janë më të paktë në numër për partinë tonë, për të mos bërë kështu thjesht formalizma. Ne kemi disa qarqe kryesore, ku është përqendruar kryesisht popullsia shqiptare çame. Ne, në thelb të programit kemi zgjidhjen e çështjes çame, e cila ka të bëjë me mohimin e të drejtave të njeriut. Ne kemi pretendime në qarqet kryesore, siç është Qarku i Tiranës, i Durrësit, i Fierit dhe Qarku i Vlorës. Kemi edhe qarqe të tjera, siç është ai i Elbasanit ku po punohet shumë, megjithëse shanset janë të pakta. Në Elbasan kemi vendosur një djalë të mirë që gëzon respekt në atë zonë. Ne nuk mund të japim shifra siç bëjnë të tjerët, por mund të them se me këtë punë që po bëjmë, ne do të jemi surpriza e Parlamentit të ardhshëm.

Keni thënë se do ta zgjidhni çështjen çame kur të hyni në Parlament. Çfarë do të bëni konkretisht?

Ne në programin tonë nuk kemi vetëm çështjen çame, por kemi edhe çështje të tjera. Duam të përqendrohemi në këtë moment me zgjidhjen e çështjes çame dhe duam ta çojmë deri në fund. Kemi bërë një sensibilizim të faktorit shqiptar. Ka qenë krijuar një shoqatë "Çamëria" që në 1991-shin, e cila ka bërë mjaft me ato mundësi që ka pasur dhe ne e kemi çuar më tej këtë punë. Kemi bërë aktivitete duke nxjerrë në pah meritat e këtij komuniteti. Puna jonë do të vazhdojë çdo ditë dhe më shumë, derisa ta zgjidhim me mjetet demokratike këtë çështje. Komuniteti çam është diskriminuar gjatë sistemit diktatorial dhe akoma më keq kemi 18 vjet demokraci e asnjë forcë politike nuk ka marrë asnjë hap për të marrë çështjen çame. Ishte partia jonë, PDI-ja, e cila për katër vjet bëri të mundur sensibilizimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë çështje. Ne e çuam këtë dosje në Parlamentit Europian, u takuam me shumë eurodeputetë dhe ndër të tjera takuam Doris Pack, të cilës i dhamë edhe dosjen për çështjen çame. Të gjithë eurodeputetët që ne takuam janë habitur se si ka mundësi që në Shqipëri ka një çështje kaq madhore me një tragjedi, me një diskriminim të tillë dhe parlamentarët shqiptarë vijnë në seancat e Parlamentit Evropian duke mos e diskutuar asnjëherë çështjen çame. Ata kanë diskutuar vetëm për problemin e minoritetit grek. E.Gjura

CV

Tahir Muhedini

-Ka mbaruar studimet e larta për Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë

-Që me ardhjen e demokracisë është rreshtuar në krah të biznesmenëve të parë shqiptarë, duke u marrë me aktivitet privat, për të qenë më pas ndër të më suksesshmit

-Prej pesë vjetësh, përveç biznesit, Muhedini ka vendosur të merret me politikë, duke krijuar Partinë për Drejtësi dhe Integrim, e cila drejtohet prej tij. Parti që ka në qendër të programit të saj çështjen çame

-Muhedini kandidon i pari për deputet në Qarkun e Tiranës dhe i dyti në Qarkun e Vlorës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›