E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: G99 synon të marrë 4-5 deputetë në zgjedhje

Kreu i G99-ës, Erion Veliaj, shpreh objektivat dhe synimet e kësaj lëvizjeje për zgjedhjet e 28 qershorit. 4-5 mandate ndoshta edhe më shumë, por synimi është të formohet një grup parlamentar, që sado i vogël do të jetë vokal dhe i angazhuar për t‘u dhënë zë çështjeve më të rëndësishme për G99-ën. Veliaj thekson se ky grupim vijon t‘i mbetet me vendosmëri angazhimeve të veta, dyfishimit të buxhetit të arsimit, sigurimin e votës së emigrantëve dhe do të zbatojë programin për punësimin rinor, pika për të cilën ka marrë edhe përkushtimin e Partisë Socialiste.

Zoti Veliaj, jeni renditur i pari i listës në disa qarqe. Pse keni bërë këtë zgjedhje. Është shenjë e ndonjë pasigurie?

Jo, nuk ka kurrfarë pasigurie. As në grupin tonë dhe as në ndonjë pasiguri vetjake. Në fakt ky nuk ishte vendimi im, por një vendim të cilin ne e morëm së bashku si grup kryesues i G99-ës. Ka një arsye shumë të thjeshtë dhe logjike pse emri im shfaqet në krye të listës në disa qarqe. G99-a është një grupim i ri, një foshnje politike nëse mund ta quajmë kështu, që përballet me forca politike të vjetra dhe të mëdha, të cilat shpenzojnë miliona dollarë për fushata luksoze, spote televizive, ushtri militantësh, koncerte dhe ryshfete të të gjitha llojeve. Ne nuk i kemi këto mundësi. Ne kemi vetëm emrin tonë. Prandaj menduam, meqenëse unë kam një jetë publike prej 6 vjetësh dhe një farë njohjeje te njerëzit, që emri im të kryesonte listat e qarqeve, për ta bërë më të lehtë identifikimin e votuesit me forcën tonë. Ekspozimi ynë ka qenë i kufizuar, na duhej pak ndihmë, një fytyrë. Ndaj emri im është përdorur më shumë për t‘u dhënë një ndihmë kandidatëve të tjerë; do kishte qenë më e lehtë dhe e sigurt të kryesoja vetëm në Tiranë si Berisha apo Meta, por jam mësuar që të mos bëj zgjedhjet më të lehta.

Cili është objektivi i G99-ës për këto zgjedhje?

Objektivi ynë është të fitojmë disa mandate për në Parlamentin e ardhshëm. Ndoshta katër, ndoshta pesë, sa më shumë aq më mirë. Jemi realistë, ne nuk do ta formojmë qeverinë e ardhshme të Shqipërisë. G99-a nuk do të nxjerrë Kryeministrin. Ne do të formojmë një grup parlamentar, që sado i vogël do të jetë vokal dhe i angazhuar. Do t‘u japim zë çështjeve tona më të rëndësishme. Mbi të gjitha duam të emancipojmë jetën parlamentare, të tregojmë që politika i përket qytetarit dhe jo qytetari politikës. E në këtë mënyrë të hapim shtegun që në gjurmët tona, të tjerë njerëz nga shoqëria civile të merren me politikë, për një të ardhme që do të jetë krejt ndryshe nga zullumet që kemi parë këto 18 vjet. Tashmë mund të them se gjithsesi kemi fituar. Përherë të parë kemi revolucionarizuar mënyrën e organizimit dhe financimit vullnetar të një grupimi politik që në pak muaj u bë forca e katërt në vend, kjo na lumturon.

Çfarë ofron G99-a, pse shqiptarët duhet ta votojnë atë?

G99-a ofron atë që politika shqiptare nuk e ka pasur kurrë mjaftueshëm. Pasionin për të ndryshuar gjithçka që nuk shkon mirë në këtë vend. Dashurinë për të punuar me njerëzit dhe për njerëzit. G99-a ofron një ëndërr (në dukje naive) për ta përdorur politikën dhe pushtetin si mjet për të shërbyer dhe jo si mundësi për t‘u shpërblyer. Ka ardhur koha që rinia, e cila është 1/3 e kombit, të ketë përfaqësimin e vet edhe në politikë. Ne të rinjtë e Shqipërisë jemi shumë dhe jemi të zotët. Kemi arritur sukses në arsimim, në punë dhe në biznes. Nuk ka asnjë arsye pse të mos sjellim nga suksesi, përkushtimi dhe pasioni ynë edhe në politikë. Shikojeni listën e kandidatëve të G99-ës, janë të gjithë njerëz të hatashëm. Kanë histori të mrekullueshme, sakrifice dhe suksesi. Këta njerëz i duhen vendit. Kjo është arsyeja për të votuar numrin 31 në fletën e votimit, pra G99-ën.

Sa i përket qeverisjes dhe programit, ku do fokusohet G99-a nëse e majta do të fitojë zgjedhjet?

Do të realizojmë dyfishimin e buxhetit të arsimit, do të sigurojmë votën e emigrantëve dhe do të zbatojmë programin tonë për punësimin rinor. Këto janë tri pikat tona kyçe për mandatin e ardhshëm. Ne kemi hyrë në koalicion me Partinë Socialiste vetëm pasi morëm mirëkuptimin e tyre mbi këto çështje dhe zotimin se do t‘i realizojmë së bashku. Besojmë se politika më e mirë ekonomike është arsimimi i të rinjve. Dyfishimi i buxhetit dhe një politikë e re arsimore me në fokus arsimin e lartë dhe arsimin profesional. Orientimin e arsimit nga tregu i punës dhe nxitjen e fuqishme të punësimit të të rinjve i kemi pikat më nevralgjike. Imagjino një Shqipëri ku çdo vit mijëra e mijëra të rinj arsimohen siç duhet dhe punësohen. Do të jetë një Shqipëri shumë herë më e mirë se kjo e demagogjive të Berishës, më e mirë për të gjithë jo vetëm për disa syresh. A.Thomollari

CV

Erion Veliaj

-Është diplomuar në Grand Valley State University, SHBA dhe ka kryer masterin për Politikë Europiane në Universitetin e Sussex në Britaninë e Madhe

-Gjatë viteve 2003-2007 ka drejtuar lëvizjen qytetare "Mjaft!"

-Ka punuar për disa organizata ndërkombëtare dhe agjenci të Kombeve të Bashkuara, për OSBE-në, Këshillin e Europës, Institutin e Shoqërisë së Hapur (SOROS) dhe Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI)

-Anëtar i bordit drejtues në Fondacionin për Fëmijët dhe të Rinjtë e Ballkanit, si dhe të disa organizatave bamirëse e instituteve studimore në rajon



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›