Berisha: Njohja e Palestinës nga OKB saboton procesin e paqes
Kryetari i Kuvendit të Izraelit: “Shqipëria është model dhe shembull parësor i një shteti mysliman shekullar (laik), të moderuar dhe demokratik”.
TIRANË Izraeli e konsideron Shqipërinë një shtet mysliman. Kjo është bërë e ditur gjatë vizitës që kryeministri Sali Berisha po zhvillon në Izrael, ku media izraelite nuk kanë nguruar të shkëpusin pjesë të rëndësishme të takimeve që Berisha zhvilloi. Sipas gazetës “The Jerusalem Post”, në takimin që kryeministri Berisha ka zhvilluar me kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, ky i fundit është shprehur se “Shqipëria është model dhe shembull parësor i një shteti mysliman shekullar (laik), të moderuar dhe demokratik”. Duke iu referuar pikërisht kësaj gazete, kryeministri Berisha është shprehur se kërkesa e Palestinës për t’u njohur nga OKB-ja saboton procesin e paqes. “...Paqja mes Izraelit dhe palestinezëve mund të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta dhe sigurisë së garantuar për të dy shtetet”. Ndërsa në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, takimi publikohet më i rezervuar dhe i përgjithshëm. Sipas njoftimit zyrtar, Berisha është shprehur se “Shqipëria vlerëson mbështetjen që qeveria izraelite i bëri deklaratës së Kuartetit (SHBA, Rusi, BE dhe OKB) si një udhërrëfyes me hapa konkretë që çojnë drejtë paqes, si dhe uron që edhe pala palestineze të bëjë të njëjtën gjë”. Po sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Berisha ndau kënaqësinë me kryetarin Rivlin për lajmin e mirë të vendimit të marrë nga pala izraelite për hapjen e ambasadës së Izraelit në Tiranë. Gjatë vizitës, kryeministri Berisha u prit në një takim edhe nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres. Ky i fundit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis të dyja vendeve, si dhe e cilësoi këtë vizitë të kryeministrit si një kontribut tjetër për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e siguroi Presidentin për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti në fusha si ato të bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit etj. Presidenti Shimon Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht, për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre. Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Peres të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi. Të njëjtën ftesë Berisha i ka drejtuar edhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. Ky i fundit i shprehu Berishës angazhimin e plotë të qeverisë izraelite dhe shtetit të Izraelit për të bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare me projekte konkrete në të gjitha fushat, “por në veçanti, presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtësisht duke inkurajuar projekte investimesh izraelite në Shqipëri, në fushën e turizmit por edhe në atë të teknologjisë e shkencës”. Kryeministri Netanjahu e siguroi kryeministrin Berisha se qeveria e Izraelit do të inkurajojë sektorin privat të biznesit të vijë të investojë në Shqipëri. Po ashtu, të dy kryeministrat ranë dakord për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës mes të dyja vendeve në fushat me interes reciprok.