E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Topi duhet të bëhet brenda datës 22 janar

Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar në seancën e fundit parlamentare të Kuvendit,  parashikon dekretimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme nga Presidenti i Republikës brenda 22 janarit. Në rastin e zgjedhjeve të ardhshme, dy datat e mundshme për t‘u dekretuar nga Kreu i Shtetit janë 21 qershori ose 28 qershori i këtij viti. Kodi Zgjedhor është publikuar në numrin 189 të Fletores Zyrtare dhe efekti i ligjit elektoral fillon 15 ditë pas botimit zyrtar. Dispozita kalimtare e përcaktuar në Kod (neni 184) thotë se "Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvendin të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi". Sipas kësaj pike, "zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të Kodit dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit". Kodi Zgjedhor u miratua në Kuvend me 116 vota, në mbyllje të sesionit të Vjeshtës. Ai u rishikua nga Komisioni i posaçëm Zgjedhor pas kthimit të tij në parlament nga ana e Presidentit të Republikës. Anëtarët e komisionit të posaçëm pas rishqyrtimit të dekretit të Presidentit ranë dakord të miratojnë një dispozitë kalimtare, sipas së cilës, Kreu i shtetit e dekretonte datën e zgjedhjeve brenda shtatë ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Presidenti është i detyruar që në konsultim me partitë parlamentare, të dekretojë si datë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare një nga dy datat e ligjshme të mundshme, 21 qershorin ose 28 qershorin 2009.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›