Mësimi në zonat rurale të Korçës sot filloi normalisht
Në shkollat e rrethit të Korçës rifilloi sot normalisht procesi mësimor pas pushimeve dimërore. Drejtori i Drejtorisë arsimore të rrethit, Andrea Mano,bëri të ditur se simestri i dytë në sistemin arsimor të ciklit të ulët dhe atë 9-vjeçar ka nisur normalisht në të gjitha shkollat, pavarësisht nga moti i ftohtë e me dëborë.
Mano sqaroi se procesi mësimor nuk ka filluar vetëm në komunën malore të Lozhanit (në verilindje të Korçës), për shkak të bllokimit të një segmenti rrugor nga bora. Në zona të tjera malore të rrethit, mësimi ka rifilluar normalisht, jo vetëm sepse pjesa më e madhe e rrugëve rurale kanë qënë të hapura, por edhe nga që shumë arsimtarë banojnë pranë shkollave ku japin mësim.
Një ditë më parë, prefektja e Qarkut të Korçës, Elfrida Zefi, kërkoi nga shtabi i emergjencës që "të punohet intensivisht" për të hapur rrugët që lidhin qëndrat e komunave me fshatrat dhe të mos pengohet rifillimi i procesit arsimor. Trashësia e dëborës në zonat më të larta malore të rrethit të Korçës është mbi 30 centimetra dhe rrugët janë të kalueshme, por me zinxhira, ndërsa mësuesit janë ndihmuar për të udhëtuar pranë shkollave ku japin mësim atje ku rrugët kishin më shumë vështirësi.
...