E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mjedisit bëri të ditur sot se rrjeti i zonave të mbrojtura këtë vit do të arrijë në 12.8% të sipërfaqes së gjithë vendit

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave synon këtë vit zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, duke arritur në 12.8 për qind të sipërfaqes së vendit. Zgjerimi dhe forcimi i rrjetit të zonave të mbrojtura, si bazë për krijimin e rrjetit ekologjik të vendit, vlerësohet si një nga objektivat më të rëndësishme të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. 

Si objektiv afatgjatë, MMPAU parashikon që në vitin 2015 rrjeti i zonave të mbrojtura të arrijë në rreth 20 % të sipërfaqes së përgjithshme të vendit, duke arritur nivelin e vendeve të Bashkimit Europian. 

Sipas të dhënave zyrtare, ky rrjet në vitin 2005 zinte 6.4 % të sipërfaqes së vendit. Sot, rrjeti i zonave të mbrojtura është rritur me rreth 145 mijë hektarë, duke arritur kështu në rreth 330 mijë hektarë, ç'ka është në përputhje të plotë me objektivat e programit qeverisës.  

Në arritjen e këtij objektivi, gjatë tre viteve, 2005-2007, u miratuan disa vendime për zgjerimin e zonave ekzistuese të mbrojtura, krahas shpalljes së zonave të reja. Sipas të dhënave nga MMPAU, është miratuar zgjerimi i Parkut Kombëtar "Butrinti”, u shpall rezervat natyror i menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”, peizazhi i mbrojtur “Lumi Buna-Velipojë", zgjerimi i Parkut Kombëtar "Mali i Dajtit", peizazhi i mbrojtur "Mali me Gropa-Bizë-Martanesh", Parku Kombëtar "Shebenik- Jabllanicë", si dhe zgjerimi i Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta". 

Ndërkaq, janë në proces peizazhi i mbrojtur "Mali i Krujës-Qafë Shtamë", zgjerimi i rezervatit natyror të menaxhuar "Kune-Vain-Patrok-Ishëm", etj. 

Për mbrojtjen dhe zhvillimin e një pjese të zonave të mbrojtura, PNUD-i, Banka Botërore, Fondi Global për Mjedisin, si dhe disa banka gjermane dhe donatorë të ndryshëm, mbulojnë me financim projekte të shumta. 

Sipas burimeve zyrtare të MMPAU, mbetet ende shumë për t'u bërë në forcimin e kapaciteteve në rang vendi dhe për forcimin e administratës së zonave të mbrojtura me kurrikula të reja në fushën e biologjisë dhe turizmit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›