LSI kërkoi sot nga qeveria ndërhyrje urgjente për situatën e krijuar nga reshjet e dëborës

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi sot nga qeveria ndërhyrje urgjente për përballimin e situatës së vështirë të krijuar në disa zona të veriut për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, tha sot gjatë një konference për shtyp, se "duhet një ndërhyrje urgjente dhe efikase për zhbllokimin e rrugëve, furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike të banorëve të izoluar, kujdesin shëndetësor dhe akordimin e një fondi të posaçëm për t'i ardhur në ndihmë pushtetit vendor të këtyre zonave". Një ditë më parë, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, tha gjatë një konference për shtyp se Kryeministri Berisha ka urdhëruar që njësi të pajisura të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhenios dhe Emergjencës Civile të vendosen në zonat e bllokuara dhe në akset rrugore kombëtare për të garantuar kalueshmërinë e rrugëve. Meçani bëri të ditur gjithashtu se "Kryeministri Berisha po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën e rënduar për shkak të motit të keq në zonat e veriut, verilindjes dhe juglindjes së vendit".
...