Dekretohet ligji i ri për të dënuarit, kush përfiton nga lejet
Tiranë - Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje ligjin për “trajtimin e të dënuarve”. Pas pak javësh të dënuarit në të gjitha burgjet e vendit do t’u duhet t’u nënshtrohen procedurave të reja. Afati që ndan nga zbatimi i ligjit të ri është vetëm botimi në Fletoren Zyrtare dhe më pas do t’u shpërndahet të gjithë drejtuesve të burgjeve. Ligji ri për të dënuarit kryesisht ndryshime ka pësuar në mënyrën se si dhe kur do të jepen lejet si dhe nga cili institucion do të varen për të marrë ulje dënimi në gjykatë apo për të përfituar lirim me kusht. Burgjet në vendin tonë i kemi të sigurisë së lartë, të mesme dhe të zakonshme. Ligji i ri ka përcaktuar rregulla për secilin burg. Ligji i ri parashikon që të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit, mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë, për çdo rast të dhënies së saj dhe në total nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës. Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore në përputhje me shkronjën “dh”, të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme. Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes”.
24 Mars 2008