E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT-i, paga mesatare arriti 36.5 mijë lekë në 2007-n

Paga mesatare në Shqipëri arriti në 36 mijë e 500 lekë gjatë vitit 2007, duke shënuar një rritje me 23 për qind krahasuar me një vit më parë. Këto janë të dhënat më të fundit që ka publikuar Instituti i Statistikave në lidhje me ecurinë e pagës në sektorin shtetëror. Sipas INSTAT-it, ndryshe nga vitet e fundit, gjatë 2007-s për herë të parë rritja e pagave në sektorin publik ka qenë më e madhe se ajo që kanë bërë bizneset për punonjësit e tyre. Rritja e pagës mesatare në sektorin shtetëror ishte rreth 23 për qind, gjatë tremujorit të tretë të vitit, në nivel vjetor dhe rreth 12 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Në fund të tremujorit të tretë, mesatarja vjetore e rritjes së regjistruar së këtij niveli page ishte rreth 18 për qind, më e larta që prej vitit 2002. Rritja mesatare e pagave në sektorin privat nuk ndoqi rritjen e theksuar të tremujorit të dytë, duke shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 13 për qind në tremujorin e tretë. Në vitin 2006, pagat u rritën mesatarisht me 15 për qind ndaj, ndërsa në 2005 dhe 2004-n respektivisht me 11 dhe 7 për qind. Por duhet thënë se një pjesë e mirë e rritjes së pagave gjatë vitit të kaluar ka shkuar për kompensimin e efekteve negative që solli në të ardhurat e buxheteve familjare, futja e taksës së sheshtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit që lamë pas. Në disa raste ky efekt negativ shkonte në 4 mijë deri në 5 mijë lekë në muaj. Kryesisht, kjo lëvizje e qeverisë godiste ata buxhetorë që kishin të ardhura të ulëta dhe mesatare. Në fund të vitit 2006, paga mesatare në sektorin shtetëror ishte 28 950 lekë, poshtë niveli prej 30 mijë lekësh që qeveria ka përcaktuar si kufi për përjashtimin e 10 mijë lekëshit të parë nga taksa e sheshtë.

METE, gati privatizimi i paketës shtetërore AMC

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përfshirë në programin e privatizimit këtë vit edhe aksionet shtetërore të AMC-së. Burime zyrtare të METE-s bëjnë të ditur se gjatë vitit 2007 u përgatit dhe u miratua kuadri ligjor si dhe procedurat për shitjen e tyre. Kështu, u miratua VKM nr. 410, datë 11.07.2007, "Për transferimin e paketës së aksioneve të AMC sh.a, që ka mbetur pas transferimit të paketës tek investitorët strategjikë, tek ish-pronarët e truallit dhe te punonjësit e kësaj shoqërie".
Ky vendim parashikon dhe përzgjedhjen e konsulentit, me qëllim që të realizohet dhe ky transaksion. Për këtë qëllim, janë përgatitur termat e referencës, të cilat kanë së qëllim kryesor të punës së konsulentit, vlerësimin e aksioneve në shitje. Ndërkohë, METE ka informuar ortakun privat në AMC për fillimin e procedurave për privatizimin e paketës shtetërore në AMC sh.a, si dhe i është kërkuar marrja prej tij e vendimeve përkatëse për këtë transferim.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›