E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Gjyqtarët e Krimeve të Rënda pa mbrojtjen që iu premtua”

Avokati i Popullit i shkruan Presidentit dhe ministrit të Drejtësisë. Prej 4 vitesh nuk janë hartuar aktet nënligjore për Gjykatat për Krime të Rënda
Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, u ka rikujtuar presidentit dhe ministrit të Drejtësisë se gjyqtarëve të Krimeve të Rënda ende nuk u janë plotësuar të gjitha të drejtat që iu premtuan në fillim të detyrës së tyre. Nëpërmjet një rekomandimi zyrtar, Dobjani i është drejtuar kreut të shtetit në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të zgjidhur këtë çështje. Ky rekomandim vjen në formë rikujtese për dy zyrtarët për shkak se kohë më parë Avokati i Popullit e pati ngritur të njëjtin problem, por nuk u mor asnjë nismë konkrete për ta zgjidhur. Sipas Dobjanit, duhet të përgatiten aktet nënligjore në zbatim të Ligjit “Për organizimin e funksionimin e Gjykatave për krime të rënda”.
Krimet e Rënda
Me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për krime të rënda”, në vendin tonë u krijuan gjykatat për krime të rënda në shkallën e parë, si dhe ajo e apelit për krimet e rënda, të cilat kanë filluar funksionimin e tyre qysh më datën 1 janar të vitit 2004. Në nenin 10 të këtij ligji parashikohet se brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave, pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme lidhur me sigurimin e ruajtjen e posaçme, të mjediseve të punës, ruajtjen e afërt fizike, mbrojtjen familjare dhe pasurore, si dhe të masave të tjera që lidhen me mbrojtjen e posaçme, të gjykatave për krime të rënda, të gjykatave të apelit për krime të rënda, si dhe të gjyqtarëve të tyre. Mirëpo komisionarët e Avokatët e Popullit kanë konstatuar se ndonëse kanë kaluar mbi 4 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji, deri sot nuk kanë dalë aktet nënligjore të nevojshme, në zbatim të kërkesave të këtij ligji.
Rekomandimi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në maj të vitit 2005 i ka dhënë mendime dhe kërkuar ish-kryeministrit plotësimin e kërkesave të nenit 10 të këtij ligji. Edhe Avokati i Popullit, me rekomandimin të majit të vitit 2006, ka kërkuar nxjerrjen e këtyre akteve nënligjore. Nga përgjigjja që kemi qysh më datën 5 mars të vitit 2007 nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se është marrë parasysh ky rekomandim dhe procesi i përgatitjes së këtyre akteve nënligjore është drejt përfundimit. Megjithatë, edhe pse ka kaluar një vit nga kjo përgjigje, përsëri këto akte nuk janë nxjerrë, megjithëse ka pasur reagime edhe nga gjyqtarët e këtyre gjykatave.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›