E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci detyron Financat të përgatisin ndryshime në buxhet

Fondi i kontingjencës për të përballuar risqe është 2 miliardë lekë. Ato do të akordohen në favor të rindërtimit të zonës në Gërdec
Ervin Koçi

Ministria Financave është përgatitur që të marrë një nismë ligjore për të ndryshuar buxhetin e shtetit 2008, duke bërë disa ndryshime në programimet e fondeve, kjo pas fatkeqësisë më të fundit të ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës. Ndryshimet në buxhetin e shtetit do të bëhen sapo të dalë fatura e qartë financiare për dëmet e krijuara nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Nga sa mësohet prej Ministrisë së Financave, një pjesë e fondeve të parashikuara në fondin e kontingjencës do të akordohen në favor të rindërtimit të zonës. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave për fonde mbi 10 për qind të zërave të shpenzimeve duhet marrë vendimi i parlamentit. Kështu, në zbatim të ligjit mbi të cilin hartohet buxheti, fondet që do të akordohen kundrejt të dëmtuarve, do të kalojnë në formën e një projektligji, fillimisht në Këshillin e Ministrave, e më pas në Parlament.

Lëvrimi i fondeve

Në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 10,6 miliardë lekë si kontingjencë dhe fond rezervë. Nga llogaritë paraprake të zyrtarëve të Financave që flasin për buxhetin e shtetit 2008, pritet të lëvrojë rreth 6 miliardë lekë në favor të rimëkëmbjes së zonave të dëmtuara. Përveç fondit të emergjencës do të përdoret fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe fondi i kontingjencës, i cili është përcaktuar paraprakisht në buxhet për të përballuar risqe të ndryshme në procesin e zbatimit të tij. Ky fond është i përbërë nga 2 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili krijohet dhe përdoret në përputhje me ligjin organik të buxhetit të shtetit. Ndërsa 4,6 miliardë lekë është kontingjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 4 miliardë lekë është kontingjenca e parashikuar për ruajtjen e deficitit buxhetor. Pikërisht kjo është pjesa që buxheti i shtetit 2008 e kishte parashikuar paraprakisht ta përdorte në rast krize të paparashikuar. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontingjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit.

Variantet e buxhetit

Ministria e Financave e ka ndërtuar buxhetin 2008 duke e marrë në tre variante, të cilat lejojnë ndryshimin e buxhetit në rast nevojash. Kjo praktikë ka hyrë në fuqi për buxhetin e vitit 2008 me synim për të parandaluar të gjitha anomalitë që mund të lindin nga mosrealizimi ose realizimi i tepërt i të ardhurave. Variantet bazohen në situatën pesimiste, realiste dhe optimiste. Varianti pesimist parashikon të ardhura të ulëta në krahasim me ritmet normale të rritjeve vjetore dhe faktorët "shok", që mund të godasin ekonominë. Varianti tjetër, sipas financave, bazohet mbi parashikime realiste. Të ardhurat dhe shpenzimet, sipas këtij varianti, parashikohen sipas ecurisë historike normale. Ky variant konsiderohet më i arriri dhe i besuari në të njëjtën kohë. Por, krahas këtyre dy varianteve, është planifikuar edhe buxheti optimist, sipas të cilit parashikohet të grumbullohen më shumë të ardhura se ecuria historike dhe rekomandimet që japin institucionet financiare ndërkombëtare, sidomos FMN-ja gjatë hartimit të projektbuxhetit.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›