UNMIK-u rikthehet në Mitrovicë, përforcohet kufiri Serbi-Kosovë
Kufiri i Kosovës me Serbinë është përforcuar nga trupat e NATO-s dhe forcat e Kombeve të Bashkuara për kontrollin e hyrjes në shtetin e ri. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka bërë të ditur se po bëhen përpjekje për të ruajtur sigurinë në vend. “Ne po përpiqemi të rivendosim rrjedhën e komunikacionit, të trafikut dhe të kamionëve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Megjithatë, punonjësit e doganave ende nuk janë atje dhe do të vendoset nga shtylla e katërt e UNMIK-ut se kur do të kthehen ata dhe kur do të rifillojnë punën”,- tha Elshani. Ndërkohë, policia e Kombeve të Bashkuara po kthehet gradualisht në Veriun e Mitrovicës, që kontrollohet nga serbët, ku nga dhuna e protestuesve të armatosur u vra në polic i OKB-së nga Ukraina dhe u plagosën shumë të tjerë. Rreth 40 policë të UNMIK-ut do të rifillojnë punën së bashku me 80 pjesëtarë të policisë lokale në Mitrovicë, ku përleshjet ishin më të ashprat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës një muaj më parë. Dhuna ishte pasqyrim i kundërshtimit të Serbisë ndaj pavarësisë. Të mërkurën paqeruajtësit e NATO-s hoqën telat me gjemba nga ura që ndan këtë qytet në dy pjesë, por edhe pas kësaj mbi urë nuk pati kalim makinash. “Policia e OKB-së filloi të kthehet pas premtimit të serbëve se nuk do të sulmonin”,-konfirmon një zëdhënës i OKB-së. Forcat e UNMIK-ut u larguan nga Mitrovica duke lënë në kontroll paqeruajtësit e NATO-s pas përplasjeve me protestuesit serbë, të cilët pushtuan Gjykatën e OKB-së. Ngjarjet e fundit në Mitrovicë u dënuan nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët u shprehën të shqetësuar për një destabilizim të Kosovës. Për këtë arsye po vonon edhe vendosja e misionit të Bashkimit Europian, EULEX, në pjesën veriore, ashtu siç ishte parashikuar në marrëveshjen që i hapi rrugën shpalljes së pavarësisë.
24 Mars 2008