Samiti i NATO-s, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia pritet të marrin ftesën
I konsideruar si takimi më i madh në historinë e NATO-s, tashmë bëhet e ditur axhenda e Samitit që do të zhvillohet në Bukuresht më 2-3 prill 2008. Në këtë takim pritet të marrin pjesë personalitete të shteteve të ndryshme. Mësohet se në takimin e shumëpritur do të jenë të pranishëm 24 presidentë, 26 kryeministra dhe 87 ministra. Mes personaliteteve më të rëndësishme do të jenë presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Në qendër të bisedimeve do të jetë kryesisht zgjerimi i Aleancës, ku pritet që vendet e kartës së Adriatikut, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të marrin ftesën. Maqedonia gjendet në një situatë delikate për shkak të konfliktit me Greqinë në lidhje me emrin. Ky problem rrezikon marrjen e ftesës dhe për këtë arsye po vazhdojnë bisedimet për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshevski, u shpreh se janë ofruar ide të reja nga ana amerikane në takimin maqedono-grek në Bruksel për tejkalimin e dallimeve rreth emrit. Detaje të mëtejshme për idetë që ofroi ndihmëssekretari i SHBA-ve për Europën, Daniel Frid, nuk janë zbuluar as nga pala maqedonase, as nga pala greke, e cila ka kërcënuar Maqedoninë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet, atëherë ajo do të vendosë veton. Në Samitin e prillit në Bruksel do të diskutohet edhe situata në Afganistan dhe zgjerimi i misionit paqeruajtës atje. Tema e tretë për të cilën do të debatohet janë planet amerikane për sistemin e mbrojtjes antiraketë, që planifikohet të ndërtohet në Poloni. Debatet do të përqendrohen edhe në planin e aleancës për sistemin e mbrojtjes së raketave me rreze të shkurtër veprimi në Turqi, Greqi dhe Rumani, por edhe situata në Kaukazin Jugor dhe të ashtuquajturat konflikte të ngrira në këtë rajon. Përpjekje për anëtarësimin në NATO po bëhen edhe nga Gjeorgjia dhe Ukraina. Megjithatë, SHBA-të kanë bërë të ditur se edhe pse këtë dy vende po mbështeten për anëtarësimin, kjo nuk do të thotë se ato do të anëtarësohen shumë shpejt, pasi edhe tre vendet që presin të anëtarësohen në Bukuresht, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, kanë pothuajse gjithë dekadën e fundit që po përgatiten. Gjatë javës është zhvilluar një takim mes Presidentit të Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili dhe përfaqësuesve të SHBA-ve. Ky takim u zhvillua një ditë pasi presidentit Bush u shpreh se në Samitin e Bukureshtit muajin e ardhshëm do t’i bëjë thirrje udhëheqësve të NATO-s të miratojnë planin e përgatitjeve për anëtarësim të Gjeorgjisë. Rusia kundërshton planin që ish-republikat sovjetike t’i bashkohen aleancës perëndimore. Por, sekretari i shtypit i Pentagonit, Xhef Morell, tha se qoftë dhe me planin e përgatitjeve për anëtarësim, shanset janë se do të duhet kohë që kjo të realizohet. Ai ka sqaruar se ka mjaft ndryshim mes planit të përgatitjeve për anëtarësim me anëtarësimin. Në takimin e NATO-s pritet që të bëhen ftesat zyrtare për Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shqipëria dhe Maqedonia kanë punuar për nëntë vjet sipas planeve të anëtarësimit, ndërsa Kroacia për gjashtë vjet.
Samarxhiç propozon marrëveshjen për “ndarje funksionale”
Ministri i Serbisë për Kosovën, Slobodan Samarxhiç, ka deklaruar se UNMIK-ut i është propozuar marrëveshja për “krijimin e atmosferës së ndarjes funksionale të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”. Sipas Samarxhiçit, marrëveshja për zbatimin e përbashkët të Rezolutës 1244 i është dorëzuar të dielën zëvendësshefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, dhe kjo marrëveshje është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Serbisë. Ministri serb, Samarxhiç, sqaron se ajo është pjesë e planit aksion që qeveria e Serbisë miratoi më 14 janar. “Propozimet nga kjo marrëveshje kanë të bëjnë me të gjitha komunat dhe vendbanimet serbe dhe jo vetëm me territorin në veri të lumit Ibër”, - është shprehur Samarxhiç në një intervistë për gazetën “Politika”.
“Nëse duan paqe dhe stabilitet me serbët duhet të jetësojnë marrëveshje të përhershme”,-tha Samarxhiç. Ndërkohë, mijëra serbë të Kosovës kanë zhvilluar para dy ditësh një protestë në Graçanicë kundër pavarësisë, duke mbajtur flamurë dhe pankarta ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Protesta erdhi pas deklaratës së presidentit serb, Boris Tadiç, i cili ka mohuar zërat se Serbia synon ndarjen e Kosovës mbi baza etnike duke nxitur dhunë dhe tensione në Veriun e shtetit të ri.
24 Mars 2008