E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: “Së shpejti njohje të tjera të Kosovës”

Vende të tjera do të njohin pavarësinë e Kosovës gjatë javës së ardhshme. Kështu ka deklaruar presidenti kosovar Fatmir Sejdiu, i cili i ka vlerësuar si shumë pozitive njohjet e deritanishme. Sipas Sejdiut, institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar në lobimin pro pavarësisë te shtetet, të cilat janë duke hezituar që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Të shumta janë shtetet që kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri gjatë ditëve të fundit. Ndër këto shtete janë Japonia, Hungaria, Bullgaria, Kroacia dhe Principata e Monakos. Një ndër shtetet që nuk ka e njohur Kosovën është Greqia. Kryediplomatja Dora Bakojanis është shprehur se njohja e Kosovës nuk do të ndodhë tani, megjithatë, Greqia do të jetë në dijeni të situatës në këtë vend.

Uizner: “Beogradi ta ndërpresë prezencën ilegale në Kosovë”

Ish-përfaqësuesi i SHBA-ve në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uizner, deklaroi se është koha që Beogradi ta ndërpresë praktikën e paarsyeshme të prezencës ilegale në Kosovë dhe të tregojë më shumë përgjegjësi. Këto komente ambasadori amerikan i bëri në një takim me përfaqësues të bizneseve në Nju-Jork. Uizner tha se ajo që ndodhi në Mitrovicën Veriore ditë më parë, posaçërisht dhuna, është e papranueshme dhe tejkalon gjithë parametrat e sjelljes së mirëfilltë për të shprehur bindjet politike. “Humbja e jetës është e papranueshme dhe dhuna e treguar, ku Beogradi mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë, duhet të ndalet menjëherë. Beogradi dhe Rusia, së bashku, mbajnë përgjegjësi dhe ta kenë të qartë se komuniteti ndërkombëtar qëndron unik dhe kërkojnë përgjegjësi për një sjellje kaq të dhunshme kundër forcave të OKB-së, që janë aty për qëllime paqësore”, - tha Uizner. Ai edhe një herë theksoi se pa zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk do të kishte paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, dhe gjithsesi nuk do të kishte progres të këtij rajoni në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian, jo vetëm për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, por që të arrihet suksesi i Sllovenisë, Kroacisë, Bullgarisë, në Ballkanin Perëndimor, duhet të inkuadrohet i tëri dhe të vazhdojë rrugën e nisur drejt Europës.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›