Del Boske i shqetesuar per Spanjen

Një fitore e vogël dhe jo një lojë e shkëlqyer. Kjo Spanjë nuk është se i pëlqeu shumë strategut të saj, trajnerit Visente Del Boske që mendon sesi do ta mbrojtë titullin në Euro 2012. Pas suksesit 1-0 ndaj Kinës, ka edhe dritë, edhe hije mbi iberikët dhe Del Boske nuk shmanget.
“E vërteta është se ne ishim të ngadalshëm ndaj Kinës. Kundërshtari ishte i vendosur mirë në fushë, na shkaktoi probleme dhe gjithashtu pati mundësi të kundërsulmonte. Por, në pjesën e dytë ne ishim më sulmues, më të sigurt në lojën tonë, më të shpejtë dhe patëm raste golash. Ne jemi një javë larg fillimit të Europianit dhe mendoj se jemi përmirësuar, ndaj jam i kënaqur”, u shpreh ai.
Gjithsesi, trajneri i Kinës, spanjolli tjetër, Hoze Antonio Kamaço, nuk lëkundet në besimin e tij tek Spanja.
“Spanja ka potencial të madh dhe të gjithë e dinë mirë këtë. Ajo është skuadra për t’u mundur. Dhe logjikisht të gjithë do të luajnë ndaj Spanjës ashtu siç luajtëm ne, pra duke u mbrojtur dhe duke kundërsulmuar. Mendoj se Spanja do të përmirësohet edhe më shumë”, deklaroi Kamaço.
Tashmë nuk ka më miqësore. Kina bëhet gati për eleminatoret e botërorit, ndërsa Spanja ka një detyrë edhe më serioze, pasi finalet e europianit fillojnë të shtunën në Ukrainë e Poloni.