E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Boske sulmon tifozët: Ju jeni mësuar keq!

Përgatiti: Admir Gremi

Trajneri del kundër atyre që kritikojnë lojën e Spanjës në Euro 2012: Më parë eliminoheshim në grup, ndërsa tani kritikohemi edhe kur fitojmë. Nuk vlerësohen arritjet tona.

Visente del Boske ka një mënyrë të tijën për ti thënë gjërat në mënyrë tepër të thjeshtë. Duke u mbështetur te eksperienca, suksesi dhe karakteri i mirë, ka një mënyrë të lezetshme se si ti dërgojë mesazhe kombit, në kohën e duhur.

Kam idenë se kemi kaluar nga varfëria te pasuria në një mënyrë tepër të shpejtë dhe se nuk jemi në gjendje të vlerësojmë atë që kemi aktualisht.

Me këtë i referohet kritikave të bëra gjatë këtyre ditëve ndaj kombëtares dhe pakënaqësisë së popullit, që nga opinionet e mbledhura në televizion ka shfaqur zhgënjimin për fitoren e vuajtur ndaj Kroacisë, duke krijuar një urë lidhëse edhe me zhgënjimin për ndeshjen me Italinë.

Del Boske nuk humbet durimin, nuk ndihen në rrugën e tij, por mpreh dialektikën e tij dhe me pak fjalë fotografon një situatë që nga kombëtarja spanjolle mund të ketë kaluar te kombi i Spanjës.

Një vend i rritur me shpejtësi, është pasuruar po aq shpejt, e përshkuar nga euforia ekonomike dhe që sot i tmerrohet një krize brutale. Kombëtarja ka ende rezultate të mira, por njerëzit duket se e kanë harruar.

Me Del Bosken, Spanja ka fituar të 10-ta ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit, 6 nga 7 në Afrikën e Jugut (nga ku u kthye me Kupën e parë të Botës) dhe të 8-ta ndeshjet e eliminatoreve të këtij Europiani. Ka fituar 16 nga 17 ndeshjet e fundit zyrtare, përfshi këtu edhe barazimin me Italinë. Pa miqësoret, ka humbur vetëm 2 nga 39 ndeshje, nga të cilat shënon 35 suksese.

Përqafimi i munguar – Gjithsesi, populli dhe shtypi murmurijnë. Ndaj dhe Del Boske reagon: Jemi e vetmja skuadër që ka arritur në çerekfinale, e cila në fund të ndeshjes nuk është përqafuar – e thotë 2 herë këtë. – Jemi kthyer në dhomat e zhveshjes si të kishim fituar me një penallti në minutën e fundit.

Nuk e kuptoj këtë pesimizëm. Jemi kualifikuar në Europian me një seri të mrekullueshme, siguruam 7 pikë në grup, kemi qenë në kontroll të të gjitha ndeshjeve. Sigurisht, me Italinë dhe Kroacinë kemi vuajtur disi, por mos harroni se kemi luajtur ndaj kundërshtarëve me vlera të mëdha, të cilët mundohen të na ndalin me çdo kusht.

Diferenca – Gabohemi rëndë, nëse mendojmë se duhet ti fitojmë të gjitha ndeshjet 2 apo 3 me 0, – kishte thënë Injesta pak minuta më parë. – Dikur, Spanja zhvillonte një ndeshje mediokre dhe kthehej në shtëpi.

Kjo kombëtare mund ti lejojë vetes një natë çalë-çalë e gjithsesi të mbetet në garë. Nuk është një diferencë e vogël. Më pas sërish Del Boske: Rusia pas dy ndeshjeve të para kishte 4 pikë, por u kthye në shtëpi. Edhe vet Gjermania ishte vetëm 1 gol larg eliminimit, kërcënimi ishte aty.

Duhet të keni parasysh se ky është një Europian i një niveli të lartë. Kam rishikuar ndeshjen me Kroacinë dhe nuk e kam vënë re gjithë këtë vuajtje, siç pasqyrohet nëpër media. Kishin vetëm një rast e gjysmë, ndodh diçka e tillë në një ndeshje.

Visente, që vjen nga një familje proletare dhe republikane, lëshon paralajmërimin e tij ndaj të pasurve të rinj. Spanja, kampione e gjithçkaje, ngec në një polemikë, që nga aspekti i jashtëm duket vetëndëshkuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›