Myler sulmon mediat, Khedira beson te suksesi
Mesfushori i Bajernit: Pritshmëritë janë të larta, por gabimet janë njerëzore. Mesfushori i Realit: Ti marrim ndeshjet me radhë. Mendojmë vetëm për Greqinë.
Mesfushori i Gjermanisë, Tomas Myler, ka akuzuar mediat për shkak se pret gjëra të parealizueshme nga kombëtarja në Euro 2012. Ekipi i Joakim Lëvit siguroi kalimin në çerekfinale me 3 fitore në 3 ndeshjet e grupit B, i cilësuar si grupi i hekurt, megjithatë performancat e tyre kanë qenë më pak impresive nga sa ishin 2 vite më parë, kur ata përfunduan në vendin e 3-të të Botërorit.
Lojtari i Bajernit të Mynihut, Myler, e përfundoi atë turne si golashënuesi më i mirë, teksa pritshmëritë ishin të larta ndaj tij edhe në këtë Europian.
Ai humbi një rast të pastër në fitoren 2-1 ndaj Danimarkës, që i dha përfundimisht kualifikimin Gjermanisë për në çerekfinale, por beson se ai dhe ekipi kombëtar në tërësi meriton më shumë lavdërime sesa kritika, gjatë kësaj kohe që gjenden në Poloni e Ukrainë.
Momentalisht, kemi ndjesinë se, duke qenë pretendentë për të fituar Euro 2012, duhet të ndihemi të turpëruar nëse nuk ia arrijmë qëllimit, tha ai. E di se pritshmëritë janë të larta pas Botërorit, por këto dy situata nuk mund të krahasohen.
Le të kujtojmë gjithashtu, se ne nuk ishim kaq të shkëlqyer në fazën me grupe të Botërorit, me përjashtim të ndeshjes ndaj Australisë. Duke qenë se pritshmëritë janë shumë të larta, ndodhin më shumë gabime, gjithsesi mendoj se i kemi tejkaluar parashikimet duke marrë 9 pikë në grup.
Mediat nuk po reflektojnë realisht këtë gjë, ndaj dhe shpresoj që kjo ecuri të jetë baza, ku të mbështetemi për ndeshjet e ardhshme. Gjermania do të përballet me Greqinë në çerekfinale, teksa Myler nuk dëshiron ti japë rëndësi mendimeve negative përpara sfidës së nesërme.
Kur u pyet nëse do të kishte mundësi të toleronte një humbje, ai tha: Aspak. Sigurisht, nëse do të eliminoheshim, atëherë do të duhej ta pranonim, sepse nuk mund të ndryshojmë verdiktet e fushës, por realisht nuk e mendojmë aspak këtë gjë. Gjatë stërvitjes bëjmë trajnime psikologjike, ndaj dhe humbja nuk ekziston si fjalë.
Është e paimagjinueshme. Në të njëjtën kohë, Gjermania nuk kërkon të vendosë përpara veten e tyre. Çmimi për fituesin e sfidës së nesërme do të jetë gjysmëfinalja ndaj Anglisë apo Italisë, ndërsa kampionët në fuqi të Spanjës shihen si kundërshtarët më të mundshëm për në finale.
Edhe pse mund të mos më besoni, ne jemi duke menduar vetëm për Greqinë, tha Sami Khedira. Ky kampionat europian ka treguar që tani se surprizat nuk janë të pamundura. E thamë para fillimit të turneut, se duhet të përqendrohemi te ndeshja e radhës dhe se rreziku më i madh mund të vijë nëse mendojmë për finalen.
Italia apo Anglia nuk janë më keq sesa Spanja, por ne mendojmë vetëm për Greqinë aktualisht. Sipas mesfushorit të Realit të Madridit, triumfi ndaj grekëve do të jetë një sfidë tepër e vështirë. Pikë së pari, duhet të tregohemi të kujdesshëm, tha ai.
Më pas do të jetë e rëndësishme, që të kemi shumë qarkullim në lojën tonë. Nëse je në lëvizje të vazhdueshme dhe përpiqesh të krijosh hapësira, atëherë do të kesh shanse të mira, por do të jetë tepër e vështirë të mposhtim këtë fortesë.
Kemi zgjidhje realisht të mira dhe tashmë na takon ti implementojmë ato. Ndeshja ndaj Danimarkës na tregoi se gjëra më të mira do të vijnë në vazhdim, por këto ndeshje nuk do të jenë aspak të lehta.
