Del Bosque i frikësohet Francës
Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque ka pranuar se Franca do të jetë “rival i frikshëm” në kualifikime për Kampionatin botëror 2014, por paralajmëroi ekipin e tij të mos përqendrohet vetëm te Trekolorët.
Kampioni në fuqi, Spanja u tërhoq së bashku me fituesit e 1998-ës Francën në Grupin I kualifikues për Botërorin 2014. Bjellorusia, Gjeorgjia dhe Finlanda përbëjnë pesë ekipet ku vetëm fituesi i grupit e ka të sigurt kualifikimin për në garën e vitit 2014 në Brazil.
“Në letër, Franca është rivali ynë më i madh, por mund të ndodhë shumëçka. Mos harroni se një gabim kundër Finlandës, Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë mund të komplikojë gjërat dhe renditjen”, tha Del Bosque për të përditshmen spanjolle AS.
“Por realiteti është se do të jenë dy kampionë bote në grup Franca dhe Spanja. Franca është gjiganti i fjetur, por pas Afrikës së Jugut ajo ka filluar një proces të renovimit dhe rigjenerimit, andaj do të jetë rival i frikshëm. Ne duhet të fillojmë mbrojtjen e titullit nga faza kualifikuese”, shtoi ai, por refuzoi të “ankohet rreth grupit ose rrethanave”.
“Kjo nuk është e mirë për sportistët, për kampionët. Ju duhet të respektoni çdo kundërshtar dhe të jepni maksimumin në çdo ndeshje. Është pikërisht kjo që do ta bëjmë”, përfundoi Del Bosque. Fushata kualifikuese fillon më 7 shtator 2012 deri më 15 tetor 2013.