Del Neri, sfida me Milanin vendos të ardhmen te Juvja
TIRANE-Nëse pas humbjes me Leçen konsiderohej ende i paprekshëm, humbja 0-2 me Bolonjën ka bërë që Xhixhi Del Neri të jetë gjithnjë e më shumë drejt shkarkimit. Situata rreth trajnerit bardhezi ka ndryshuar brenda 7 ditësh, por mund të marrë një tjetër rrjedhë pas ndeshjes Juventus-Milan, që do të vendosë shumë për fatin e tij. “Është logjike që Xhixhi të vihet në provim”, - deklaroi të dielën në mbrëmje drejtori i përgjithshëm Bepe Marota. Të shtunën, pas ndeshjes, presidenti Anjeli dhe Marota hynë në dhomat e zhveshjes, ku Del Neri ishte i vetëm. “Je në gjendje të vazhdosh?”, e kanë pyetur ata. “Po”, ka qenë përgjigja e teknikut. Por, situata duket se është më e turbullt. Tifozët kanë bërë një peticion kundë trajnerit, ndërsa Nedved nuk ka pranuar të ulet në pankinë. Kësisoj, Del Neri me shumë mundësi do të vazhdojë deri në qershor, kur pritet të vijë njëri mes Spaletit dhe Kapelos. Një tjetër hipotezë është ajo e ish-ndihmësit të Murinjos Andre Vilas Boas. Ky i fundit është duke shkëlqyer me Porton, duke mos njohur ende humbjen e parë në kampionat.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)