Del Piero: Stadiumi i ri, revolucion për futbollin Italian
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, beson se stadiumi i tyre i ri do të nxitë një revolucion në futbollin italian. Stadiumi i Juventusit është i gatshëm për ndeshjen inauguruese kundër Notts County që zhvillohet sonte, para se Parma të udhëtojë për ndeshjen e madhe të Serie A gjatë të dielës.
Dhe Del Piero mendon se edhe klubet tjera duhet të ndjekin shembullin e klubit nga Torino. “Është një revolucion kulturor dhe sigurisht një revolucion në botën e futbollit. Është një hap i rëndësishëm për ne. Vërtet shpresoj se kjo do të bëhet një normë për futbollin italian dhe për stadiumet”, ka thënë Del Piero.
Futbollisti do të luajë në shtëpinë e katërt të Juventusit, pasi më herët ka luajtur në stadiumin e vjetër, që më vonë u bë Olimpico, si edhe në Delle Alpi, që është rrafshuar dhe është zëvendësuar nga stadiumi i ri. Ky i fundit do të mbajë mbi 41 mijë tifozë dhe rreshti i parë i tij është vetëm shtatë metra e gjysmë nga fusha.