E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demollari analizon kombëtaren: Për Kuzhen vendos vetëm Duka

Ish trajneri i Kombëtares, Sulejman Demollari ka analizuar lojën e kombëtares shqiptare gjatë dy ndeshjeve të fundit, duke deklaruar se duhej bërë zëvendësimi i disa lojtarëve. Në një intervistë dhënë për “Ora News”, ai ka komentuar edhe largimin e trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, duke theksuar se për këtë vendos vetëm Duka.

“Puna e trajnerit varet tek rezultatet. Kjo është mëse e qartë, nëse rezultat janë të pranueshme aty ku janë kërkuar ëhtë mëse normale qëndrimi, nëse jo kjo duhet parë”, shprehet ai. Përsa i përket ndeshjes së kombëtares shqiptare me Luksenburgun, Demollari theksoi se ekipi shqiptar u tregua i lodhur dhe në gjendje jo të mirë, ndaj sipas tij duhet të kërkohet më tepër ndaj ekipit.
 

“Objektivi i ekipit kombëtar ngelet minimumi që mund të marrim tashti. Dëshiroja që edhe më shpejt të ishte kryer zëvendësimi i disa prej lojtarëve. Në futboll ndodhë për këdo, ka një fillim ka një fund. Kështu që mendoj se sa më shpejt të bëhet rinovimi për edicionin e ardhshëm. Mesfusha nuk ishte në lartësinë e duhur. Mundësitë ishin, pavarësisht mungesave të lojtarëve. Nga një ekip modest siç ishte Luksenburgu nuk duhet të gjejmë justifikimin tek mungesa e lojtarëve, pasi ata duhet të ishin më të përqendruar për të kaluar këtë ndeshje me sukses”, shprehet Demollari.
 

Duke u ndalur tek ndeshja e fundit e kombëtares shqiptare me Rumaninë, Demollari theksoi se nëse mëndohet për ngritje niveli duhet ndryshim mentaliteti në infrastrukturën kryesore. Sipas tij kjo duhet të jetë pikë e rëndësishme për programin dhe strategjinë e Federarës Shqiptare të Futbollit.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›