"Flamurtari", shndërrohet në SH.A

Klubi i futbollit “Flamurtari” tashmë nuk do jetë i varur financiarisht vetëm nga shteti, pasi sot shndërrohet në Shoqëri Aksionere. Ky vendim është miratuar në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, pas konstituimit të tij, duke vendosur që ekipi i futbollit të Vlorës, të marrë një status të ri, “Flamurtari futboll club” SH. A, sipas një vendimi nga Federata e Futbollit Shqiptar.
Debate lidhur me këtë vendim ka përfshirë edhe këshilltarin e LSI-së, Shkëlqim Selami i cili ka deklaruar se kjo kërkesë është e paligjshme, pasi Këshilli Bashkiak nuk ka tagrin për të konvertuar shoqërinë e klubit “Flamurtari” nga SHPK, në Shoqëri Anonime.
Ai u kundërshtua nga kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, duke këmbëngulur se vendimi është legjitim. Në këtë mbledhje u diskutuan gjithsej 5 pika, ku tre prej tyre u miratuan me shumicë votash nga anëtarët e Këshillit .