E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero nis aventurën australiane

Alessandro del Piero ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Australi, pas përvojës së lavdishme që e pati në Juventus, ku fitoi gjithçka dhe u bë një legjendë e klubit torinez.

Pasi i dha fund eksperiencës Bianconere, sulmuesi italian nënshkroi kontratë dyvjeçare me ekipin australian Sydney FC, ku do të paguhet afro 2 milionë euro në vit, njëkohësisht futbollisti më i paguar në A-League.

Mirëpo, atje e pret një tjetër kulturë, një tjetër jetë, një tjetër futboll.

“Është një ditë e veçantë për mua. Jam i lumtur që ju tregoj për nënshkrimin e kontratës me Sydneyn. Për dy vjetët e ardhshme do të jem australian. Më pret një aventurë e shkëlqyeshme, pa dyshim e fortë, mirëpo më duhet ta pranoj se në fund të këtij udhëtimi nuk mund të kishte një vend më të mirë. Ajo që ka ndodhur e ka një sens dhe jam i lumtur që mund ta filloj këtë aventurë”, deklaroi 37 vjeçari në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën.

“Ai që do ta kem përballë është një projekt që nuk e prisja. Edhe shumë skuadra që nuk i prisja më kanë kërkuar, i falënderoj të gjitha. Kjo më zgjon shumë emocione, sepse nuk e kam ndërruar kurrë ekipin. E kemi marrë vendimin së bashku me familjen”, vazhdoi Del Piero i cili e përsëriti edhe një herë se Juventusin do ta mbajë në zemër përgjithmonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›