E Diel, 1 Nëntor 2026

Luan me Manchester United

Njeriu më i shpejtë në botë, Usain Bolt mund të debutojë me Manchester Unitedin sezonin e ardhshëm në një ndeshje miqësore ndaj Real Madridit.

Sprinteri xhamajkan i ka shtyrë fansat që t’i bëjnë presion menaxherit të United, Sir Alex Ferguson, ta angazhojë atë te ‘Djajtë e Kuq’, kur qëndroi në tribuna gjatë fitores 3:2 ndaj Fulhamit në Premierligë këtë fillim sezoni.

Rekordmeni botëror mund ta marrë një telefonatë befasuese nga Ferguson, pasi e kishte pranuar se ëndërron që një ditë të luajë për ekipin nga Old Trafford.

“Usain është njeri me karakter dhe tifoz i madh i United. Mirëpo, është interesant të thuhet se ai dëshiron të luajë një ndeshje miqësore bamirëse. Do të ishte brilante dhe vitin tjetër, kur të luajmë me legjendat e Real Madridit përsëri, ekziston mundësia që ta marrim atë dhe ta shohim se si do të luajë”, deklaroi Ferguson për magazinën Inside United.

Kohë më parë, 25 vjeçari kishte ushtruar me skuadrën e Manchester United dhe kishte thënë se do ta linte atletikën nëse do t’i ofrohej mundësia që ta veshë fanellën kuq e bardh.

Kjo ndeshje do të luhet më 3 qershor të vitit 2013 në Old Trafford si rrjedhojë e suksesit që e arriti vitin që shkoi ndeshja e mbështetur nga Real Madrid's Foundation, që ndihmon aktualisht njerëzit në nevojë në Afrikë.

Bolt e kishte fituar medaljen e artë në garën 100m e 200m në Londra 2012, ndërsa e udhëhoqi Xhamajkën edhe në garën e stafetës 4x100m.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›