E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’është çështje parash

Cristiano Ronaldo siguron se pakënaqësia e shprehur pas ndeshjes me Granadan nuk ka të bëjë me paratë. Ylli portugez siguron se do ta japë maksimumin për Real Madridin, për t’i arritur objektivat e klubit. Ai është mbështetur nga trajneri Jose Mourinho, ndërsa është kritikuar nga mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta.

Luan në klubin më të rëndësishëm në Evropë, për shumë kë është lojtari më i mirë në botë së bashku me Lionel Messin dhe kandidat për ta fituar ‘Topin e Artë’. Mirëpo, të gjitha këto nuk i mjaftojnë Cristiano Ronaldos!

Dëshiron më shumë, shumë më tepër. Pas ndeshjes me Granadan, ai e dha mesazhin e tij. Mediat spanjolle kanë filluar të shkruajnë se arsyeja kryesore e pakënaqësisë së tij janë paratë, sepse ai do më shumë. 9 milionët në vit, plus bonuset deri më 2015 nuk i mjaftojnë më.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca, portugezi është vetëm lojtari i dhjetë më i paguar në botë. Në vendin e parë është Eto'o (20 milionë), më pas Ibrahimovic (14,5), Rooney (13,8), Yaya Touré (13), Aguero (12,5), Drogba (12), Fernando Torres (10,8), Dario Conca (10,6) e Leo Messi (10,5). Mirëpo, vetë ish futbollisti i Manchester Unitedit insiston se pakënaqësia e tij nuk ka të bëjë me paratë.

“Fakti që unë ndihem i trishtuar ka krijuar polemika të mëdha. Më akuzojnë se dua më shumë para, por nuk është kështu, një ditë do të shihet. Me këtë rast dëshiroj t’i siguroj tifozët e Real Madridit se motivi im, angazhimi dhe dëshira për t’i fituar të gjitha garat nuk do të lëkunden. Kam respekt të madh për veten, për Real Madridin dhe nuk më lë ndërgjegjja të jap më pak sesa që mundem. I përqafoj të gjithë madrilenët”, ka shkruar Ronaldo.

Mourinho: Në Madrid je i rëndësishëm

Pas pakënaqësive që shfaqi CR7, trajneri i Realit, Jose Mourinho, i ka telefonuar bashkëkombësit të tij për t’ia sqaruar pozitën e tij brenda klubit. “Këtu je një lojtar i rëndësishëm, nuk duhet të kesh dyshime, kjo është e qartë. Njerëzit të marrin në konsideratë të madhe dhe duhet të ndihesh i dashur. Mund të llogarisësh në mbështetjen tonë, do të të ndihmojmë në ço situatë”, i ka thënë ‘Special One’ Ronaldos, i cili duket se nuk ndihet më i dashur në Madrid.

Iniesta kritikon sjelljen e Ronaldos

Ndërkohë, mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta e ka kritikuar Ronaldon, i cili e shfaqi pakënaqësinë e tij në klubin aktual përmes medieve. “Ka momente kur ndihesh keq, por duhet të punosh që punët të bëhen më mirë. Në momentet kur gjërat nuk shkojnë mirë ose kur nuk luan mirë, duhet të jesh i qetë, të mendosh për ekipin dhe kohërat e mira vijnë. Të gjithë kalojmë në momente si këto”, ka thënë futbollisti më i mirë në Evropë për El Larguero.

“Ndonjëherë kam ndier padrejtësi, por personaliteti ose respekti për bashkëlojtarët ose trajnerët, edukimi që kisha gjithmonë, më ka bërë që ta pres zgjedhjen time dhe kisha besim se në të ardhmen gjërat do të duken më mirë. Kurrë nuk kam menduar që të ankohem te mediat”, përfundoi Iniesta. Në fitoren ndaj Granadas, Ronaldo refuzoi t’i festonte golat e 149-të e 150-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›