E Diel, 1 Nëntor 2026

Eduard Zhupa: Gëzoj mbështetje maksimale nga ana e drejtuesve

Numri 1 i stolit të bluve shprehet se nuk ka asgjë të vërtetë në fjalët se ai mund të shkarkohet në rast të një disfate tjetër e Dinamos në ndeshjen e radhës

Nga ANDI TANKU

Dinamo edhe dje ka vazhduar si normalisht seancën stërvitore të radhës. Duket se blutë kërkojnë të mos humbasin asnjë ditë nga përgatitjet për takimin e radhës në fundjavë, atë kundër Gramshit në transfertë. Asnjë ditë pushim, kjo edhe pas sfidës së zhvilluar me Mamurrasin, prej së cilës të besuarit e trajnerit Zhupa dolën të humbur me rezultatin 0-1 në stadiumin Selman Stërmasi. Humbja ka lënë shije të hidhur në ambientin e skuadrës, pasi pritej që starti të ishte më pozitiv dhe të arrihej objektivi i marrjes së trepikëshit. Por kjo nuk ka ndodhur dhe trajneri Zhupa pas ndeshjes është shprehur i zhgënjyer nga rezultati, por optimist për të ardhmen. Ndërkohë që vetë numri 1 i stolit të bluve ka folur dhe ka qartësuar thashethemet e fundit në lidhje me të ardhmen e tij, duke u shprehur se ai personalisht gëzon mbështetjen e drejtuesve të klubit dhe nuk ka asnjë të vërtetë për faktin se nëse nuk arrihet fitorja kundër Gramshit atëherë ai do të shkarkohet nga detyra si trajneri i Dinamos. Nuk ka asnjë të vërtetë për sa i përket kësaj çështjeje. Mund tiu them vetëm se kam marrë përkrahjen e krerëve të klubit, edhe pas humbjes së pësuar kundër Mamurrasit. Puna te Dinamo sapo ka filluar dhe ne si staf jemi përpjekur të ndërtojmë një skuadër që ka pretendime për këtë sezon. Humbja në javën e parë nuk do të thotë se ka lëkundur pozitat e mia në postin e trajnerit të Dinamos, pasi e theksoj edhe njëherë se gëzoj mbështetje maksimale nga ana e drejtuesve. Ne jemi duke punuar për të qenë gati për ndeshjen e radhës kundër Gramshit, e cila është një sfidë e vështirë edhe për faktin se luajmë në transfertë, por nuk ka asnjë të vërtetë nga fjalët se më është komunikuar se në rast të një rezultati tjetër negativ në këtë takim unë nuk do të jem më trajner i Dinamos. Humbjet nuk lënë shijë të mira, kjo është më se normale, por edhe ndodhin, pasi ky është futbolli. Si përfundim dua të shtoj se nuk më interesojnë këto fjalë, pasi janë të pabaza dhe jam i përqendruar vetëm në faktin e përmirësimit të atyre gabimeve që u panë gjatë ndeshjes së parë të kampionatit, pasi nuk duhen përsëritur në të ardhmen,-përfundon trajneri i Dinamos, Eduard Zhupa.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›